Çdo gjë shkrumb e hi/ Pamjet pas zjarrit në shtëpi, që i morri jetën çiftit të bashkëshortëve në Dropull

17/11/2021 15:50

Një çift të moshuarish humbën jetën një ditë më parë në Dropull, pasi shtëpia e tyre u përfshi nga flakët.

Irakli dhe Fotini Panajoti, 87 dhe 83 vjeç u asfiksuan brenda banesës së tyre në fshatin Hllomo.

Top Channel ka mbërriti sot në vendngjarje, në fshatin që ndodhet në skaj të Gjirokastrës dhe duket se gjithçka ka mbetur është vetëm shkrumb e hi.

Banorët shprehen se u përpoqën të ndihmonin të ndjerët, por ishte e pamundur, pasi drutë që ata mbanin në shtëpi kanë favorizuar tej mase flakët. Ata thonë se zjarrfikëset kanë mbërritur me shumë vonesë në fshatin malor dhe nuk mundën të bënin asgjë.

Rrezikoheshin shtëpi të tjera. Me kova uji shpëtuam banesën poshtë që të mos merrte flakë. Nuk kishte asnjë mundësi për t’u futur brenda. Flakët arrinin në 30 metra. Burrin e gjeta te pragu i derës, gruas i kishte rënë tavani e kishte zënë poshtë”, tregon një banor.

Një banore thotë se çifti i bashkëshortëve ngrohej me sobë druri dhe mund të ketë qenë gazi shkaku i zjarrit.

Dëgjuam shpërthim. Ishin bombola gazi a çfarë ishin, nuk e dimë. Ishte ora shtatë e darkës, nuk e vumë re që në fillim, ishim brenda. bënë dritat dy tre herë shkëputje. Flaka kishte shkuar në qiell. Nuk guxonte njeri të hynte. Ra tavani, u shemb, gruan e gjetëm poshtë, në kat të parë. Ishte ngjarje shumë e rëndë. Nuk kemi fjetur gjithë natën”.

Hetimet për ngjarjen vijojnë ende, ndërsa banorët do të kujtojnë gjatë tragjedinë, teksa shikojnë inertet dhe hirin e mbetur nga zjarri masiv në fshatin e tyre.

FOTO GALERI
3/7

Top Channel