Fiks Fare/ “Sherr” mes bashkive, projektin 2 milionë euro për pastrimin e lumit Ishëm e merr lumi!

15/11/2021 20:34

Fiks Fare iu rikthye denoncimeve në fushon mjedisore, teksa u ndal te një nga projektet që synonte pastrimin e lumit Ishëm nga mbetjet plastike. Një projekt që u iniciua 4 vjet më parë dhe kushtoi plot 2 milionë euro.

Impianti është ndërtuar, por prej katër vitesh ai është “konservuar”, teksa disa pjesë i ka zënë bari, të tjerat janë ndryshkur dhe pritat i ka marrë lumi.

Në muajin nëntor të vitit 2017, ish ministri i Mjedisit, Blendi Klosi, do të përuronte këtë impiant, teksa do të deklaronte se “synonte pastrimin e lumit dhe të detit Adriatik”. 4 vjet më pas?! Gjendja është e njëjtë! Mbetjet plastike vijojnë që të shkojnë në det. Lumi Ishëm është një nga më të ndoturit.

Sipas dokumenteve që disponon “Fiks Fare”, ky impiant ka kushtuar rreth 2 milionë euro, ndërsa tenderët janë bërë në vitin 2016 dhe ndërtimi është kryer në 2017-ën. Projekti synonte pastrimin e lumit nga mbetjet plastike. Do të vendoseshin 3 prita në lumë, të cilat do të mblidhnin plastikën.

“Fiks Fare” bëri një vëzhgim në këtë impiant, i vendosur në fshatin Gotull të Kurbinit. Impianti i pastrimit të Ishmit është lënë në mëshirë të fatit. Por, çfarë ka aktualisht në këtë terren? Impianti është vendosur rreth 1 km nga grykëderdhja e lumit Ishëm në detin Adriatik.

Sipas vëzhgimit, impianti nuk është vendosur në punë. Dera kryesore është e kyçur. Ndërtimet kanë përfunduar dhe aktualisht në lumë janë 2 prita. Por, edhe plehrat që ka mbledhur, askush nuk i nxjerr nga lumi. Makineritë që duhet të nxirrnin këto plëhra janë ndryshkur, s’ka asnjë mekanizëm funksional. Pritën nr 3 e ka marrë lumi. Në dy sheshet me beton janë vetëm pak mbetje plastike, që janë të vetmet që janë hequr nga lumi.

Pas vëzhgimit, Fiks Fare, bisedoi me z. Kristo Martinaj, administrator i Njësisë Administrative Fushë Kuqe, në Kurbin, në territorin e të cilit është vendosur impianti. Ai thotë se impianti nuk është vendosur asnjëherë në punë, për shkak se asnjë nga bashkitë ku kalon lumi Ishëm nuk e ka marrë përsipër administrimin. Sipas tij, Bashkia Kurbin e ka të pamundur ta përdorë, pasi do fuqi punëtore dhe para për ta mirëmbajtur.

Më tej shton se lumi Ishëm kalon në disa bashki si Kruja, Tirana, Durrësi dhe Kurbini. Sipas tij, Kurbini ka shumë pak kilometra ku kalon lumi dhe duhet një bashkëpunim mes bashkive të tjera pasi ato janë ndotësit më të mëdhenj. Thotë se është diskutuar disa herë, por deri tani s’ka zgjidhje.

Fiks Fare iu drejtua ministrisë së Mjedisit, ku mëson se fondet e ndërtimit dhe tenderat janë bërë nga ministria, por duhet të mirëmbahet nga bashkitë. Por, Bashkia Kurbin thotë se s’ka mundësi ta mirëmbajë. Dhe, projektin që kushtoi 2 milionë euro po e merr lumi. Ndërkohë që plehrat që duhet të mblidhte po përfundojnë sërish në det, duke e bërë Shqipërinë një nga ndotësit më të mëdhenj të detit Adriatik.

Disa muaj më parë, Fiks Fare denoncoi edhe mosfunksionimin e një projekti të ngjashëm në lumin Shkumbin, i ndërtuar në afërsi të kalasë në Vilë Bashtovë në Rrogozhinë. Projekti kishte kushtuar rreth 1 milionë euro, ndërkohë që mekanizmat dhe pritat i kishte marrë lumi. Në terren ndodheshin disa makineri, të cilat ishin ndryshkur.

FOTO GALERI
3/9

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA