Pirgje të tëra mbetjesh urbane dhe inertesh i has ngado në territorin e bashkisë së Durrësit ku së fundmi ka nisur një aksion i gjerë pastrimi, por dhe paralajmërimi për të gjithë ndotësit e mëdhenj se do të ndëshkohen për këtë masakër ekologjike. 

Frekuentimi i zonave bregdetare nga qytetarët është i lartë, po aq dhe konsumi e mbetjet që lënë pas. Dhjetëra tonelata mbetjesh janë hequr vetëm ditët e fundit prej tyre. Në fundjavë aksioni u përqendrua në Gjirin e Lalzit.

 Emiriana Sako: Po marrim masa për të mbyllur të gjitha venddepozitimet e jashtëligjshme. Problematikat janë të mëdha dhe ndërgjegjësimi i qytetarëve për mbrojtjen e ambientit shumë i ulët.

Edhe banorët shprehen të kënaqur ndersa pranojnë se të gjithë duhet të angazhohen për një mjedis të pastër.

Qytetarët: Duhej të kishte qenë më përpara, po më mirë vonë se kurrë. Bravo i qoftë. Kështu i pafshim gjithmonë!  

-Po kush e ndot?

Qytetarët: Ne, populli. Duhet ndërgjegje. E bëre mbeturinën, fute në qese dhe çoje në kosh.

Pastrimi do të vazhdojë, ndërsa masat nuk do të mbeten vetëm këtu.

Emiriana Sako: Ne jemi të vendosur që aksioni do të vazhdojë gjatë të gjithë kohës derisa të arrijmë një pastrim radikal të qytetit dhe po punojmë ngushtësisht me Ministrinë e Mjedisit dhe Turizmit për të forcuar masat në terren. Pasi nuk është problem vetëm i bashkisë, që ka detyrën kryesore, po ndotësi paguan.

Po cilët janë ndotësit më të mëdhenj në Durrës?

Emiriana Sako: Kategoritë më të mëdha që hasim problem janë fasoneritë me copa e pambuk. Kemi dhe gomat e makinave që i gjejmë në kosha, xham e mbetjet e peshkut që nuk duhen hedhur në koshat e plehrave. Kompanitë dhe kryesisht restorantet, hotelet duhet të kenë kontrata specifike me subjekte që i riciklojnë këto mbetje.

Vëmendje të shtuar për këtë shërbim përmes akordimit të më shumë fondeve në buxhet do të ketë dhe për shtimin e kontenierëve depozitues dhe tërheqjen më të shpeshtë të mbetjeve prej tyre.

Emiriana Sako: Do të shtojmë numrin e koshave dhe rrisim herët e evadimit të mbetjeve në qytet. Do të shtojmë buxhetin që evadimi të bëhet dy herë në ditë. Jemi në kontaktet dhe me hotelet në bregdet për mbetjet.

Top Channel