Policia italiane ka arrestuar një shqiptar 38 vjeç pasi në kamionin e tij u gjet një sasi e madhe kokaine e pastër, 476 kilogram me vlerë 45 milionë euro.

Droga u kap nga policia e Arecos në bashkëpunim me Guardia di Finanza. Mediat italiane raportojnë se ka qenë një patrullë e policisë rrugore italiane që ka vërejtur një kamion të vogël në autostradën A1 që ecte në mënyrë të çuditshme me zig zage.

Policët e kanë shoqëruar shqiptarin në postën e policisë së Arrecos. Ai është pronar i dy firmave të ndërtimit dhe banonte në Firenze.

38 vjeçari dukej shumë i tensionuar përpara policëve dhe me vështirësi po justifikonte mënyrën se si po i jepte makinës në autostradë kur e ndaloi policia.

Menjëherë Guardia di Finanza nisi verifikimin mbi aktivitetin që kishte shqiptari në itali dhe kontrolloi automjetin e tij, një kamion i vogël.

Mjeti ishte i ngarkuar plot me materiale pune, për të maskuar atë çfarë fshihej poshtë, 400 pako që mbanin 476 kilogram kokainë të pastër me vlerë 45 milionë euro.

Policia arrestoi në flagrancë shqiptarin që akuzohet për trafik droge.

Top Channel