Rama dhe Mark Rutte vizitojnë Piramidën: Do të përpiqemi të organizojmë javën holandeze vitin tjetër

10/11/2021 16:44

Kryeministri Edi Rama dhe Kryeministri i Holandës Mark Rutte vizituan kantierin e Piramidës, ku po ndërtohet qendra e teknologjisë digjitale më e madhe në rajon në bashkëpunim me studion e famshme holandeze MVRDV.

Në hyrje të ndërtesës, e cila po i nënshtrohet projektit transformues, Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj tregoi lidhur me historikun  e Piramidës ndër vite, e cila do të përshtatë arkitekturën e saj të veçantë me funksionin e ri.

“Ka nisur fillimisht si mazoleum dhe nga mazoleum u shndërrua në një muze. Edi ia ktheu këtë qytetit, për ta pasur si akademinë më të madhe të kodimit në Ballkan, 12-18 vjeç. E kemi nisur institucionin, me qendrën TUMO që është tek stadiumi, tashmë kemi 1000 fëmijë dhe 1000 që janë në listën e pritjes.

Me gjasë ne jemi stacioni më i madh i punës i arkitektëve holandezë në Europë, jashtë Holandës kuptohet.” – u shpreh Veliaj.

Ndërsa Kryeministri Rama tha se vitin tjetër Tirana do të jetë kryeqyteti europian i rinisë, me aktivitete të shumta me të rinj nga vende të ndryshme.

“Vitin tjetër, Tirana është kryeqyteti europian i rinisë dhe po përpiqemi që të flasim dhe i kemi thënë dhe ambasadës, të kemi aktivitet kulturore holandeze, me rininë këtu. Do të përpiqemi të organizojmë javën holandeze. Do të kemi aktivitete të ndryshme, muzikë, të gjitha.”

Top Channel