“Polic je ti ore? Çfarë je ti? Debil” Momenti kur gazetarja Anila Hoxha dhe grupi i xhirimit dhunohen nga policia (VIDEO)

06/11/2021 16:41

Gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha është dhunuar në krye të detyrës teksa raportonte nga vendi i ngjarjes ku u gjet trupi i vrarë i biznesmenit Ruzhdi Hoxha. Gazetarja po raportonte detajet e ngjarjes ndërsa në një moment, u shty nga një efektiv.

Efektivi ishte i nevrikosur nga fakti që mediat kishin kaluar shiritin e policisë dhe reagoi me tone të ashpra duke shtyrë gazetaren dhe operatorin. Ata janë rrëzuar në tokë, në anë të një gremine. Gazetarja Anila Hoxha ka pësuar lëndime dhe gërvishtje nga sjellja brutale e policisë.

“Polic je ti ore. Çfarë je ti? Debil”, i thotë në një gazetarja Anila Hoxha – efektivit pasi rrëzohet në tokë.

Pavarësisht se i rrëzoi, polici nuk ofroi në asnjë moment ndihmën e tij për të ngritur gazetaren dhe operatorin që u lënduan nga sjellja e tij. Kujtojmë se gazetarja Anila Hoxha ka siguruar detaje ekskluzive rreth ekzekutimit të biznesmenit Ruzhdi Hoxha, i cili prej disa ditësh ishte zhdukur.

Ngjarja ishte tepër sensitive dha ka mbajtur me orë të tëra audiencën në ankth në lidhje me fatin e biznesmenit.

Detajet e ngjarjes të raportuara nga gazetarja e Top Channel Anila Hoxha. 

Policia ka ngritur dyshime të forta këtë të shtunë se autor i vrasjes së biznesmenit Ruzhdi Hoxha është shtetasi Ferdinant Rrushi.

Rrushi është arrestuar nga policia, ndërsa rezulton që është personi i fundit që ka takuar biznesmenin. Ai pretendon se e ka lënë Ruzhdi Hoxhën në banesën e tij, në zonën e 3-shit në Tiranë dhe më pas është larguar me automjetin e tij drejt banesës.

Nga këqyrja e kamerave të sigurisë rezulton se automjeti sapo është larguar nga një degëzim i autostradës në afërsi të një lokali, ka vijuar udhëtimin drejt Dajtit.

Pikërisht në këtë zonë pas 10 ditë kërkimesh, policia me qentë e gjurmës gjeti në Qafë-Mollë, mbrapa Dajtit, në një greminë, trupin e pajetë të Ruzhdi Hoxhës, i mbuluar me zhavorr e gurë.

Si rezultat i kërkimeve dhe punës hetimore 10 ditore të bërë nga grupi hetimor në Sektorin për Krimet e Rënda në DVP Tiranë u bë e mundur grumbullimi i provave për autorësinë e kësaj ngjarje dhe mesditën e djeshme si rezultat i kërkimeve, shërbimet e policisë bënë të mundur që në zonën e Dajtit të gjenin një xhup ku pas verifikimeve rezultoi se i përkiste shtetasit Ruzhdi Hoxha”, citohet nga deklarata e policisë.

Policia tha se trupi i pajetë do transportohet në morgun e spitalit për kryerjen e ekspertizës mjeko-ligjore, për të përcaktuar shkakun e humbjes së jetës.

Në njoftimin e saj, policia thekson se si rezultat i punës hetimore është bërë e mundur zbardhja e autorësisë së kësaj ngjarje, ku dyshohet se shtetasi Fredi Rrushi, i arrestuar më datë 26 tetor 2021 nga DVP Tiranë, si person i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet ligjzbatuese italiane për veprën penale të trafikimit të narkotikëve, është autor i dyshuar i kësaj ngjarjeje.

Referuar burimeve të siguruara nga gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha mësohet se viktima është qëlluar edhe me armë zjarri, para se të hidhej nga shkëmbi në një humnerë, në zonën e Dajtit.

Gjetja e trupit erdhi pasi policia si fillim gjeti xhupin e tij, i cili kishte njolla gjaku.

Zhdukjen e biznesmenit e kishte denoncuar fillimisht djali i tij Saimir Hoxha, pas 4 ditësh pritje për kthimin e tij në shtëpi.

Risjellim në kujtesë edhe njëherë se njeriu i fundit që kishte takuar biznesmenin, ishte shtetasi Ferdinant Rrushi, tashmë në paraburgim, por që pretendon se e la Ruzhdi Hoxhën në banesën e tij në zonën e treshit në Tiranë, dhe se më pas u largua në drejtim të banesës me automjetin e tij.

Por në të vërtetë, rezulton gjithashtu nga këqyrja e kamerave të sigurisë së automjeti sapo u largua nga një degëzim i autostradës në afërsi të një lokali, ka vijuar udhëtimin drejt Dajtit.

Versioni se i humburi kishte konsumuar kafe e birra në afërsi të një zdrukthtarie konfirmohet edhe nga tre persona të tjerë që pohojnë se Ruzhdi Hoxha u largua me një makinë Pasat që është mjeti ku gjendej i shumë kërkuari, i cili pranon se ka bërë një xhiro dhe mandej e la në afërsi të një stacioni.

Top Channel