“Nuk ndryshon politika monetare”/ Guvernatori: Nëse eurobondi nuk plotëson nevojat, mund të ketë huamarrje në tregun e brendshëm

05/11/2021 10:58

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko këtë të premte ka folur mbi eurobondin 700 milionë euro që pritet të merret nga Qeveria, por që sipas tij, në mos plotësim të nevojës ka një parashikim nga Ministria e Financave që mund të ketë edhe huamarrje në tregun e brendshëm.

Ju po diskutoni të merrni një borxh në nivelin 500-700 milionë, por edhe në buxhetin e shtetit kjo shifër është 700 milionë euro. Sigurisht që ka një parashikim nga Ministria e Financave që mund të ketë edhe huamarrje në tregun e brendshëm. Tani dihet, pavarësisht nga shifra që fiksohet për të marrë një eurobond, ky i fundit është kuotim në tregjet ndërkombëtare mund të ketë një ofrim që mund të jetë më shumë se 700 milionë euro, them mund se ende nuk e dimë, herën e kaluar besimi i ishte i lartë ndaj Shqipërisë dhe shuma e ofruar ishte pothuajse dyfish e asaj që u kërkua dhe norma e interesit ishte e përshtatshme, ishte në nivelin 3.5% që konsiderohej një normë shumë e mirë interesi. Në këtë rast do të shohim, nëse do të plotësohet nevoja për eurobondin 700 milion euro, sigurisht që nevoja për huamarrje në tregun e brendshëm nuk do të jetë imediate, s’do jetë aktuale”, tha Sejko.

Ai tha se nëse do të lindte nevoja për tregun e brendshëm, sistemi bankar është i gatshëm të marrë pjesë, sepse ka likuiditet të tepërt.

Nëse do të lindte nevoja për tregun e brendshëm, sigurisht sistemi financiar, sistemi bankar, është i gatshëm të marrë pjesë, pasi ne e kemi theksuar se është një sistem bankar likuid me rreth 47-48 për qind me tepricë likuiditeti”, tha ai.

Sejko tha se raporti kredi/depozitë është 50 me 50% dhe bankat janë të gatshme, por sipas tij, nëse do të merrej në tregun e brendshëm do të ishte një shumë e madhe, pavarësisht se likuiditetin e ka.

Pra raporti kredi/depozitë është 50 me 50% dhe bankat janë gjithmonë të gatshme të marrin pjesë në huamarrjen e tregut të brendshëm. Natyrisht nga një këndvështrim, ne nuk do donim, nëse do të supozonim që e gjithë huamarrja e eurobondit me 700 milionë euro që do merret në tregun ndërkombëtar, do të dilej në tregun e brendshëm kjo vlerë do të ishte një shumë e madhe për tregun financiar shqiptar, pavarësisht se ky treg i ka këto kapacitete likuiditeti, pra do t’i përgjigjet se vlerën e ka, por do të krijonte disbalanca makro-ekonomike qoftë në normat e interesit, qoftë në kursin e këmbimit por dhe s’do donim që vlera kaq të mëdha të kufizonin aftësitë e bankave për kreditim”, tha Sejko.

Guvernatori Sejko është ndalur edhe tek rritja e çmimeve në vend dhe masat e marra nga Banka e Shqipërisë në lidhje me inflacionin. Ai theksoi se një rritje e tillë vjen si pasojë e faktorëve të ofertës, pasi produktet janë të importuara nga tregjet ndërkombëtare.

Rritja e çmimeve vjen si pasojë e faktorëve të ofertës. Pra është një inflacion i importuar nga tregjet ndërkombëtare. Nga rritja e çmimit të naftës, energjisë dhe transportit. Kjo gjë sjell edhe rritjen e çmimeve për të gjithë produktet e tjera, qofshin ato edhe ushqimore. Banka e Shqipërisë si instrument të saj bazë ka normën e interesit. Unë e theksova edhe më herët se nuk e shikojmë të nevojshme të ndryshojmë kahun e politikës monetare. Mendojmë se ekonomia shqiptare ka nevojë akoma për stimul monetar. Megjithatë kjo do të jetë në varësi të nivelit të inflacionit që do të konfirmohet nga INSTAT në muajt pasardhës. Nëse do të kishim një inflacion më të fortë sa e presim, atëherë edhe ne do të konsiderojmë kahun e politikës monetare”, tha Sejko.

Top Channel