Ministria e Brendshme do të ketë gjatë vitit 2022 një buxhet 4% më të lartë se ai që pati në vitin 2021. Ministri Bledi Çuçi shpjegoi në Komisionin e Sigurisë në Parlament se si do të ndahen 21.7 miliardë lekët.
Veç shpenzimeve operative, për paga dhe nevoja të tjera të insititucioneve, një pjesë e konsiderueshme e buxhetit do të shkojë për investime në teknologji dhe pajisje të domosdoshme për Policinë e Shtetit. E po kështu do të ketë bonus page për punonjësit e policisë që ushtrojnë detyrën larg vendbanimit.
Më poshtë fjala e plotë e ministrit Çuçi në Komisionin e Sigurisë.
Projekt-buxheti për Ministrisë së Brendshme për vitin 2022, arrin një total prej 21.7 miliardë lekësh dhe për ta thënë që në fillim ka shënuar një rritje prej 4 % në raport me atë të vitit 2021, dhe në qoftë se do e krahasonim përpara 8 vitesh është rritur 42 %. Rritje që në fakt reflekton vëmendjen që kanë çështjet e brendshme në prioritet e qeverisë. Ky buxhet i reflekton shumë qartë dhe i përgjigjet shumë qartë prioriteteve tona në shërbim të publikut.
Prioritete që i kemi miratuar bashkë me programin qeverisës dhe që lidhen me mbrojtjen e rendit dhe sigurinë publike, luftën kundër krimit të organizuar, mbrojtjen dhe kontrollin e territorit, dhe shërbime që ofrojmë bashkë me pushtetin vendorë për të qenë sa më pranë qytetarëve.
Dua të them që në fillim që këto prioritete do realizohen nëpërmjet dy komponentëve kryesorë që reflektohen qartas në këtë projekt-buxhet, e para lidhet me përmirësimin e vazhdueshëm të kushteve të punonjësve të policisë dhe përkatësisht me trajtimin financiar të trupës së policisë duke i parashikuar shpërblimet shtesë deri në 150 % të pagave të punonjësve të Policisë së Shtetit që ushtrojnë detyrën e tyre jashtë vendbanimit.
Dhe së dyti, këto prioritete do të adresohen nëpërmjet fuqizimit të bazës teknologjike, rinovim të pajisjeve teknologjike dhe zhvillim të softëare & hardëare, si dhe të database-ve të ndryshme që ka Policia e Shtetit.
Vetëm në Policinë e Shtetit investimet në teknologji për vitin 2022 janë 555 milion lekë më shumë se në 2021. Pra, rreth, po ta shohim si krahasim edhe vite më përpara, por edhe me një vit, në 2021 kemi gati 5 herë më shumë investime në teknologji sesa në vitin paraardhës.
Në totalin e investimeve i cili në vetvete parashikon një rritje prej 70 % në raport me buxhetin e një viti më parë, 45 % e totalit të këtyre investimeve e zënë investimet në teknologji. Një garanci kjo më shumë për synimin tonë të qartë për rritje dhe modernizim të vazhdueshëm të veprimtarisë të strukturave në varësi të Ministrisë së Brendshme.
Dhe disa nga këto investime do të jenë blerja e pajisjeve të teknologjisë së lartë për disa njësi të policisë, të IKMT-së dhe SHÇBA-së. Financimi i disa sistemeve si ai “DataCom” apo “FAIR” të Policisë së Shtetit, financimi i programeve të sofistikuara, për analizën e të dhënave për SHÇBA-në, dhe financimi për sistemet e Regjistrit Kombëtarë të GJC, dhe Regjistrit Kombëtarë të Adresave në GJC.
Gjithashtu investime të tjera jashtë zërit të investimeve në teknologji do të jenë investime që do të bëjmë për të rikonstruktuar gjatë këtij viti buxhetor disa prej godinave në policinë vendore dhe komisariateve, si dhe të finalizojmë ndërtimin, i cili është më shumë se rikonstruksion të Pikës Kufitare në Qafë-Botë. Projekt ky që e kemi financuar bashkërisht me BE.
Duke u nisur nga parashikimet e këtij projekt-buxheti, ku të gjitha programet e tij kanë shënuar rritje, madje edhe tek gjendja civile kemi një rritje prej 100 % të investimeve krahasuar me një vit më parë.
Ndërkohë që mirëmbajtjen e sistemeve ja kemi kaluar edhe si buxhet, por që është në gjithmonë në dobi të Ministrisë së Brendshme. Mirëmbajtjen ja kemi kaluar, pra për sistemet e gjendjes civile, ja kemi kaluar AKSH-it. Nisur nga këto ne jemi optimistë se ky projekt-buxhet do të realizohet në çdo zë dhe do të ndikojë cilësisht në rritjen e shërbimeve ndaj publikut.
Të nderuar anëtarë të komisionit më lejoni që shkurtimisht më poshtë të bëj një panoramë të përgjithshme për secilin nga programet buxhetore të parashikuara në këtë projekt-buxhet, duke i marrë me radhë.
Në programin “Policia e Shtetit”, i cili zë përqindjen më të madhe në totalin e buxhetit të Ministrisë së Brendshme me rreth 80 %, kemi një rritje 4% në raport me 2021. E thënë në shifra, ky program arrin vlerën prej 17.4 miliardë lekësh, siç e theksova dhe më përpara tek prioritetet, investimet e parashikuara për teknologjinë në polici në 2021 ishin vetëm 107 milion lekë, ndërsa për 2022 kemi parashikuar 612 milion lekë.
Në këtë projekt-buxhet gjen mbështetje një projekt tjetër shumë i rëndësishëm për publikun siç është ai që lidhet me sistemin 112, pra sistemin e lajmërimit i cili do të zgjerohet dhe përditësohet për të gjithë territorin e RSH. Sipas parashikimit në zërat përkatës do të blihen pajisje që kanë të bëjnë me numrin 112 për sallat operative në drejtoritë vendore të policisë dhe komisariatet në të gjithë vendin.
Të gjithë zërat e këtij programi, pra programi “Policia” kanë shënuar rritje në raport me 2021-shin. Kështu, kemi një rritje 1% për gjithë pjesën e pagave e sigurimeve shoqërore; 12% për “shpenzime të tjera” dhe, siç thashë edhe më parë në lidhje me investimet, kemi një rritje 81% me financim të brendshëm.
Një risi e rëndësishme e tij është dhe ajo që ka të bëjë me rritjen e pagave të punonjësve të Policisë së Shtetit, që ushtrojnë detyrën e tyre jashtë vendbanimit.
Vitin që vjen, në formën e shpërblimit, do ta çojë pagën e kësaj kategorie të punonjësve të policisë deri në 150 % të pagës që marrin sot.
Nga kjo rritje, sot e kalkuluar, sepse është një numër që varion sipas lëvizjeve që ka brenda Policia e Shtetit, por sot do të përfitojnë 1179 efektivë të policisë, pasi në këtë skemë ne do të përfshijmë të gjithë punonjësit e policisë, nga inspektori deri te drejtuesit e parë, të cilët punojnë jashtë vendbanimit të tyre.
Në një projekt që kemi bërë dhe llogari, sipas rritjes që ka për këtë zë, i kemi ndarë përkatësisht në bazë të kilometrave, pra largësisë që ka punonjësi që punon jashtë vendbanimit të tyre, duke u nisur nga 20 deri në 60 km largësi, do të përfitojë 20% më shumë mbi pagën, nga 61 km deri 120 km, do të përfitojë 30% më shumë mbi pagën dhe mbi 121 km, do të përfitojë 50% mbi pagën mujore.
Në programin “Planifikim & Menaxhim” kemi gjithashtu një rritje në zërin “paga dhe sigurime; ndërkohë që zëri i investimeve ka një rritje prej 57% që vjen e gjitha nga financimi i brendshëm.
Është siguruar mbështetje e projekteve për investime dhe infrastrukturën dixhitale të SHÇBA-së, si dhe blerje pajisjesh dhe mjetesh për IKMT.
Te programi “Garda e Republikës” ka gjithashtu një rritje prej 10 % në raport me 2021-shin. Shpenzimet për personelin në këtë program, kanë pësuar një rritje prej 15% dhe këtu dua të theksoj reflektimin që ky buxhet i bën rritjes së pagave të punonjësve të Gardës, sipas VKM 640 të vitit 2020 dhe rritjes që shkakton ekuivalentimi i gradave, bazuar në ligjin e ri të Gardës që kemi miratuar në 2021, pra këtë vit, nga ku 90% e kësaj rritjeje shkon për funksionet e nivelit bazë, paga e të cilëve parashikohet të rritet rreth 7% për vitin 2022. Janë rreth 240 përfitues që do të përfitojnë nga kjo rritje që sapo thashë.
Për programin “Prefekturat dhe Funksionet e deleguara” edhe ky program ka shënuar një rritje prej 14% në raport me 2021. Për këtë program, shpenzimet për personelin nuk kanë pasur ndryshime, por ndërkohë zëri i shpenzimeve për “investime” me financim të brendshëm është rritur me 313 %, në raport me vitin 2021. Për të njëjtin program shpenzimesh, “investimet” me financim të huaj tashmë, pra jo të brendshëm janë dyfishuar, ose e thënë në përqindje 100% rritje dhe kjo mbulon pagesat e TVSH për një sërë projektesh, që po zhvillon dhe janë në zhvillim në bashkëpunim me partnerët tanë ndërkombëtarë dhe pushtetin vendor.
Dhe në programin e Gjendjes Civile, spikat zëri i investimeve ku e kemi dyfishuar, pra rritur me 100 %, investimet qe shkojnë për përmirësimin e infrastrukturës hardëare & softëare të RKGJC dhe të Regjistrit Kombëtar të Adresave. Dhe siç ju thashë, zëri “shpenzime të tjera” nuk figuron te programi i Gjendjes Civile, pasi mirëmbajtja e sistemeve i ka kaluar AKSHI-t, por që planifikohet për Ministrinë e Brendshme dhe për zërin përkatës për GJC.
Të nderuar deputetë,
Në zërat buxhetorë të parashikuar në këtë p/ligj, gjejnë qartë reflektim të politikave dhe prioriteteve tona të cilat janë në linjë me programin e qeverisë, në këtë vit të parë të mandatit qeverisës 4-vjeçar.
Duhet të jemi realistë dhe të pranojmë faktin e vëmendjes së shtuar dhe rritjes konkrete që ka përfituar buxheti i Ministrisë së Brendshme dhe kjo do të ketë impakt të drejtpërdrejtë në efikasitetin në luftën kundër krimit të organizuar, rendin dhe sigurinë publike dhe zbatimin e ligjit në çdo aspekt të tij, ku motivimi i punonjësve dhe lidhja me investimet në teknologji të avancuar dhe në infrastrukturën dixhitale të policisë, do të jenë shtyllat kryesore.
Në mbetemi besimplotë që buxheti i Ministrisë së Brendshme do të na mundësojë të realizojmë misionin dhe përmbushim objektivat për vitin 2022.
Top Channel