Kanë përfunduar dy ndeshjet e para të mbrëmjes së sotme në Champions League. Milani nuk shkoi më shumë se barazimi 1-1 në “San Siro” kundër Portos, teksa Real Madrid iu fal Karim Benzema për të thyer 2-1 Shakhtar Donetsk.
Kuqezinjtë e Stefano Piolit siguruan pikën e parë në fazën e grupeve, por ky rezultat minimizon shpresat e Milanit për t’u kualifikuar.
Pjesa e parë foli për miqtë nga Portugalia, të cilët kaluan në avantazh në minutën e gjashtë me anë të kolumbianit Luis Diaz.
“Dragonjtë e Oportos” vijuan të shfaqen të rrezikshëm, ndërsa Giroud dha sinjalet e ringjalljes së Milanit pas një gjysmë ore lojë. Vendasit ndërruan marsh në fraksionin e dytë të ndeshjes.
Barazimi erdhi pas një ore lojë. Goditja e Pierr Kalulu u devijua nga Chancel Mbemba dhe përfundoi në rrjetë. Insistimi i Milanit nuk u shpërblye me golin e fitores, dhe “Djalli” renditet i fundit në grupin B.
Dy herë shënoi Karim Benzema përballë Shakhtarit, duke konfirmuar formën fantastike dhe duke i dhuruar Realit tre pikë tepër të rëndësishme. Gafë e ekipit mik në minutën e 14-t dhe finalizim i sulmuesit francez pas asistit të Vinicius Junior.
Fernando gjeti golin e barazimit në fundin e pjesës së parë (39’). Aksion i bukur i miqve dhe goditje potente e brazilianit. Reali gjeti golin e fitores në minutën e 61-të.
Sërish asist i Vinicius Junior dhe tjetër finalizim i Karim Benzema, i cili gjeti golin e 14-të sezonal në të gjithë kompeticionet. Real Madrid kryeson grupin D me 9 pikë, pas katër ndeshjeve të luajtura.
Top Channel