Letërkëmbimi i Mid’hat Frashërit përbën kurorën e meditimit, të veprimtarisë shkrimore dhe krijimtarisë  së tij: aty shfaqen idetë e reja iluministe të tij në çdo fushë të jetës e të mendimit, sfidat dhe vendimmarrja e tij në ngjarjet kyçe të historisë së kombit, shqiptarizmi si platformë dhe veprim, përpjekjet titanike në mbrojtje të çështjes shqiptare në krizë, këmbëgulja e palodhur për zgjidhjen më pozitive të saj, humanizmi dhe evropianizmi si frymë e model, diplomacia si mjeshtëri dhe art, debati me argumente dhe logjikë të pakundërshtueshme, elokuenca dhe sjellja fisnike, bashkëbisedimi dhe polemikat me personalitete të shquara historike shqiptare e të huaja, përfshirë presidentë shtetesh, kryeministra, ministra, kryetarë forumesh kombëtarë e ndërkombëtarë,  bashkëpunimi e bashkimi kombëtar, haxhiqamilizmi shqiptar, rreziku komunist, lufta për shtet ligjor dhe demokraci, miqësia dhe dashuria, por edhe kritika ekzistenciale,  largpamësia, kultura sipërore, informacioni i gjerë dhe sensi zyrtar, por edhe intim dhe artistik i këtij letërkëmbimi.

Dashuria e Mid’hat Frashërit ishte shpuzë e amëshuar, e mbuluar me hirin e jetës. Ai i caklon dhe i shpupurit me penën-pupël gacat, që vagëllojnë në një dritë të gjelbër dhe i derdh me mjeshtëri dhe art në letrat e tij. Letrat e dashurisë mes intelektuales rumune Angela Romano dhe Mid’hatit zgjasin e dokumentohen për 24 vjet me radhë, pak më tepër se letrat e dashurisë mes Balzakut dhe Princeshës Hanska, por edhe me një pathos të papërshkruar.  Pyetjes: Pse nuk u martua kurrë Mid’hat Frashëri, i japin përgjigje letrat e tij dhe të dashurave të tij. E zhuritur nga malli dhe largësia, Angela Romano e grish në Bukuresht të dashurin e saj, ku i kishte të gjitha komoditetet që të jetonin së bashku “me idhullin e saj, shpesën e saj të parealizueshme”, siç shprehet ajo në letër. Por Mid’hati zgjedh midis Angelës dhe Shqipërisë, këtë të dytën dhe ajo ia kthen: “Jam e lumtur për ty dhe për vendin tënd”.

Mid’hati pati një letërkëmbim të pazakontë, nga përmbajtja e thuktë, por edhe nga shumësia e letrave, që arrijnë në mijëra e mijëra. Të habit fakti që ku e ka gjetur kohën të shkruajë letra pa fund, kur ka pasur një veprimtari tejet intensive atdhetare, politike, diplomatike, pedagogjike, kulturore, studimore, albanologjike, kritike, botuese, letrare, memoriale, bibliografike dhe përshkrime udhëtimesh brenda dhe jashtë Shqipërisë.

Ai ka shkruar dhe këmbyer letra nga nevoja e kohës, me personalitete, por edhe njerëz të thjeshtë të botës shqiptare si Ismail Qemali, Luigj Gurakuqi, Faik Konica, Mehmet Konica, Kristo Luarasi, Gaetano Petrota, Dr. I. Temo, Dr. M. Turtulli, Fan Noli, Sulejman Delvina, Shtjefën Gjeçovi, Gjergj Fishta, Gjergj Pekmezi, Ahmet Zogu, Sotir Kolea, etj; por edhe me personalitete te shquara të politikës e diplomacisë botërore si presidenti Wilson, Lord Robert Cecil, kryetar i Konferencës së Paqes në Paris, Aubrey Herbert, Edit Durham, Justin Godart, Baron Hayashi, Telford Erickson, Jean Pelissier, I.S. Barnes, Morton Eden, A.J.Balfour, etj., si edhe ministra, deputetë, këshilltarë, ambasadorë, shkrimtarë, kryeredaktorë agjencish, gazetash e revistash, miq dhe armiq të Shqiperisë dhe të Mid’hat Frashërit.

Letërkembimi është hulumtuar dhe nxjerrë në Arkivin Qendror të Shtetit, Arkivin e Ministrisë së Jashtme dhe arkivat e bibliotekat e Turqisë, Francës, Britanisë së Madhe, SHBA, Greqisë, Rumanisë, Bullgarisë, Zvicrës, Gjermanisë, Italisë, etj., kryesisht në gjuhët shqip, frëngjisht, anglisht.Ky letërkëmbim është ngërthyer tek vëllimi VI dhe VII i kolanës “Mid’hat Frashëri- Vepra të zgjedhura” botim i Institutit të Studimeve Historike “Lumo Skëndo” Tiranë.

Nga Uran Butka

 

Top Channel