Helmimi/ Spitali i Krujës: Në urgjencë janë paraqitur 500 qytetarë, sot kanë ardhur vetëm 3 pacientë

28/10/2021 13:14

Nga mëngjesi i së dielës e deri më tani, numri i pacientëve të paraqitur në urgjencën e Krujës, me simptoma helmimi, ka shkuar në 500, mes të cilëve 150 fëmijë. Këtë të enjte në urgjencën e këtij spitali janë paraqitur vetëm tre qytetarë, nga të cilët dy po vazhdojnë të marrin shërbimin, kurse njëri është larguar.

Lajmi është konfirmuar për herë të parë nga drejtoresha e këtij spitali, Yllka Sheta, e cila theksoi se ky është rasti i parë i një intoksikacioni të përhapur në qytetin e Krujës.

Gazetari: Kur e keni njoftuar ju njësinë?

Në momentin që kemi bërë mbledhjen e mëngjesit.

Gazetari: Dje pasdite ka pasur një fluks, po sot në mëngjes?

Spitali ka flukse të vazhdueshme nuk ka lidhje ajo. Por nuk është e thënë që flukset janë për këtë gjë.

Gazetari: Çfarë simptomash ka pasur?

Simptomat janë dhimbje barku, diarre të vjella. Dhimbje koke dhe raste shumë të rralla me temperaturë.

Gazetari: A ka patur rastë të cilët janë shtruar?

Jo kanë marrë shërbimin dhe janë larguar.

Gazetari: Aktualisht sa pacient kanë ardhur?

Vetëm sot tre pacientë. Ata kanë marrë shërbimin në urgjencë, dmth, dy po e marrin shërbimin dhe një është larguar. Deri më sot kanë ardhur për të marrë shërbimin rreth 500 persona nga të cilët janë rreth 150 fëmijë dhe 350 të rritur.

Gazetari: Ky është rasti i parë i këtyre përmasave?

Po ky është rasti i parë, nuk kemi pasur një situatë të ngjashme më para. Spitali edhe pse ka dëmtime nga tërmeti nuk është i padispunueshëm për të ofruar shërbimin. Kemi dy vjet që ofrojmë shërbime. Spitali i ka të gjitha shtretërit në dispozicion të kësaj gjëje që ndodhi dhe çfarë do rasti tjetër që mund të ndodhte edhe pse nuk e shpresojmë një gjë të tillë.

Gazetari: Pse u paraqiten vetëm rastet e reja, përderisa nuk ka ujë qyteti i Krujës?

Varet si reagon organizmi, sepse të gjithë qytetarët janë njoftuar që të mos e konsumojnë ujin e pijshëm. Shërbimi nuk i ka munguar asnjë njeriut, nuk ka pasur asnjë mungesë as në medikamente dhe as në shërbim personeli. Thjesht gjej rastin të falenderoj personelin mjekësor, infermieror dhe sanitar. Të cilët që qëndruan në këmbë 24 orë për t’u shërbyer të gjithë qytetarëve. Dua t’i jap përgjigje atyre që thonë se nuk ka pasur kaq shumë persona, pasi spitali i Krujës nuk i ka kapacitet për t’i mjekuar, dua tu them atyre se ata nuk e dinë se si mund të funksionojë diçka urgjente. Urgjenca është diçka që njerëzit marrin shërbim dhe largohen. Njerëzit kanë pritur thjesht për faktin e triazhimit.

Ndërsa pritet leja e ISHP për të nisur furnizimin e qytetit me ujë, mësohet se autoritetet lokale kanë dezinfektuar depozitën kryesore që përdoret për ujin e pijshëm. Qyteti i Krujes nuk është furnizuar ende me ujë të pijshëm nga ujësjellësi i qytetit që prej shfaqjes së këtij problemi. Një pjesë e banorëve e kanë marrë ujin nga autobotët që qarkullojnë nëpër qytet, kurse një pjesë tjetër e kanë blerë atë.

Nga ana tjetër, Inspektoriati Shëndetësor Publik nuk ka dalë ende me një deklaratë zyrtare sa i përket analizave të bëra për të mësuar shkakun që çoi në helmimin e qytetarëve të Krujës.

Një ditë më parë, Prokuroria e Krujës njoftoi nisjen e hetimeve, ku theksohet se është në pritje të analizave përfundimtare, edhe pse dyshimet e para janë që uji i pijshëm të ketë pasur ngarkesë bakteriale esheria koli dhe streptokoku fekale.

Prokuroria ka zbarkuar tek ndërmarrja ujësjellës-kanalizime Krujë, ku janë marrë disa dokumente si dhe janë marrë në pyetje drejtuesit e këtij institucioni.

Top Channel