Përgjigjet e analizave mikrobiologjike të ujit të pijshëm në Krujë kanë rezultuar Streptokok fekal dhe esheria coli.

Kanë qenë këto dy bakterie të cilat kanë kontaminuar ujin e pijshëm me të cilën furnizohen banorët e bashkisë të cilët ditën e dielë shfaqën probleme shëndetësore si grastroentereite, të vjella e diarre, duke bërë që të përfundojnë në spital

Nga e diela deri të mërkurën në spitalin e Krujës janë paraqitur afro 500 pacientë.

Burime të sigurta për Top Channel konfirmuan një ditë me parë se uji i pijshëm ishte ndotur nga fekalet e bagëtive, pasi shumë pranë depos së ujit ndodhet një stallë e gjësë së gjallë dhe kjo nuk është hera e parë që ka ndodhur me ujin e pijshëm në Krujë.

Por nuk vonuan edhe përgjigjet paraprake të analizave të bëra nga ujësjellësi dhe që dolën të martën pasdite, sipas të cilave në mostrat e marra u gjet prani amoniaku.

Por gjithsesi hetimi epidemiologjik është shtrirë edhe më gjerë ku janë marrë mostra të analizave edhe nga pacientët që iu drejtuan spitalit.

Gjithsesi raporti përfundimtar pritet të dalë bashkë me përgjigjet e analizave të ISHP.

Top Channel