Sali Berisha në turin e tij “Foltorja” tha se është pranuar padia e tij nga gjykata franceze, por njëkohësisht është caktuar edhe data e Kuvendit të jashtëzakonshëm Kombëtar të PD me firmat e bazës.

Nga ana tjetër, Lulzim Basha ka thënë se nuk do të ketë struktura paralele të PD, pra vetëm një qëndrim zyrtar që do të jetë i forumeve të PD. Ditën e djeshme, Berisha tha se Gjykata franceze ka pranuar padinë e ngritur ndaj sekretarit të shtetit Blinken dhe sfidon SHBA duke i kërkuar që të paraqesë provat. Për këto çështje kanë folur gazetari Bledian Koka dhe analisti Ilir Demalia në emisionin “Top Talk”.

Denis Dyrnjaja: A është i detyruar Departamenti Amerikan i Shtetit të paraqesë provat në një gjykatë të një shteti tjetër si Franca?

Bledian Koka: Duhet thënë që është ngjarje e fortë, e cila deri tani i jep të drejtë Berishës për hapat që ka ndërmarrë por ka dhe një handicap. Ti the Berisha kundër SHBA. Berisha e ka shpjeguar se nuk ka lidhje me SHBA, por vetëm me një individ që është Anthony Blinken.

Denis Dyrnjaja: SHBA sot i përfaqëson sekretari amerikan i shtetit, Blinken. Ai nuk përfaqëson veten por SHBA.

Bledian Koka: Berisha nuk ka hedhur në gjyq DASH, por Blinken.

Denis Dyrnjaja: Kjo është thjesht një lojë.

Bledian Koka: Do të vij tek një fakt tjetër. Vërtetë Gjykata e Parisit e ka pranuar padinë e Berishës, por nga ana tjetër, që të vijojë me gjyqin duhet të verifikojë nëse gjykata është në gjendje ta gjykojë Blinken për shkak të imunitetit të tij. Nëse Blinken nuk heq dorë ose nuk pranon të heqë dorë nga imuniteti i tij, gjyqi është i pamundur për tu zhvilluar. Prandaj them me Blinken jo me SHBA, për shkak të imunitetit.

Denis Dyrnjaja: Çështja mes Berishës dhe Blinken nuk është private, por shtetërore. Blinken flet në emër të shtetit amerikan kur bën listën e personave “non grata”. E gjithë historia e ngritjes së kauzës është nul. Juve sapo thatë që për shkak se ka një status Blinken, Gjykata franceze është e detyruar të marrë statusin që do të thotë se gëzon imunitet shtetëror. Blinken nuk është thjesht Blinken, nuk është pa detyrë.

Bledian Koka: Fillimisht u duk qesharake që një njeri nga Shqipëria padit numrin 2 më të fortë të botës. Ja ku jemi sot me një vendim nga gjykata e Parisit. Berisha më shumë se 1 herë ka thënë se ka të bëjë me individin. Unë mbi këtë e bëj analizën që për mënyrën si është trajtuar, Berisha ka thënë se e ka me njeriun, jo me vendimmarrjen, prandaj e bëri këtë akt dhe deri në këto momente, e vërteta ligjore anon nga Berisha.

Ilir Demalia: Kjo është qesharake në të gjitha drejtimet dhe e kuptoj pse Berisha e bën këtë se ka qenë në funksionet më të larta të shtetit, President dhe Kryeministër. Problemi është që Berisha e di mirë që nuk ka sens, jo për një jurist por edhe për një njeri me arsyetim të thjeshtë. Bledi ngul këmbë nëpërmjet asaj që thotë Berisha që ka hedhur në gjyq individin Blinken. Por Blinken nuk është individ, por përfaqësues i shtetit amerikan. Është zyrtari i dytë më i lartë pas Presidentit në SHBA.

Pra, Blinken nuk ka bërë sulm privat kundër Berishës, por ka shfaqur një vendim që kishte kohë që kishte filluar. Pra këto që kanë suportuar Trump, ky proces ka qenë dhe gjatë administratës Trump sepse sistemi këtu nuk funksionon si në Shqipëri. Në këtë drejtim, mendoj që Berisha e di mirë por mundohet të krijojë tollumbace për brenda në Shqipëri edhe për nderin e vet se është shumë e rëndë në fundin e karrierës së tij të marrë këtë goditje. Kë do marrë gjykata në Francë? Çfarë autoriteti ka gjykata franceze të marrë shtetin amerikan? Si do bëhet ky gjyq kur Blinken nuk ka asnjë detyrim paraqitje? Kjo është në të gjitha drejtimet nul. E di shumë mirë Berisha.

Kujtojmë se ish-kryeministri Berisha të martën deklaroi se Gjykata e Parisit ka pranuar padinë e tij për shpifje ndaj Sekretarit Amerikan të Shtetit, Antony Blinken. Në fjalën e tij në “Foltoren” e Kavajës, Berisha e ftoi sekretarin Blinken të dërgojë në Gjykatën e Parisit çdo provë, fakt apo dokument që ka për ish-kryeministrin shqiptar.

Gjykatësi i Parisit ka pranuar padinë e Sali Berishës. E ftoj sekretarin Amerikan të Shtetit, Antony Blinken të dërgojë në Gjykatën e Parisit çdo provë fakt dhe dokument që ka për Sali Berishën. Por ju garantoj se ka zero, zero fakte. Për problemin tim e kisha zgjedhur rrugën dhe këtu para jush edhe njëherë do të them; rroftë drejtësia”, tha Berisha.

Ish-kryeministri në një konferencë për mediat, pak orë pasi Departamenti Amerikan i Shtetit dha lajmin, lajmëroi se avokati i tij ka depozituar në Gjykatën Korreksionale të Parisit, padinë për shpifje ndaj Sekretarit të Shtetit Amerikan Antony Blinken.

Kurrë se kisha menduar se do detyrohesha të ngrija padi ndaj një sekretari të SHBA-së, të një vendi që e adhuroj kaq shumë,” tha ish-kryetari i PD-së.

Berisha e cilësoi politik dhe pa baza vendimin e SHBA për ta shpallur “non grata”. Ai tha se këtë e provon fakti se ndaj tij nuk është publikuar asnjë fakt pavarësisht kërkesës së bërë tre muaj më parë. Sipas Berishës kjo nuk është bërë pasi “faktet nuk ekzistojnë”.

Ish-kryeministri tha se çështja ndaj tij ka prapavijë qëndrimet kundër ndarjes së Kosovës dhe denoncimet e ndikimeve politike të George Soros në Shqipëri. Ai u shpreh se kjo padi ndaj Blinken “është padi për dinjitetin njerëzor” dhe kundër “diktatit të barit”.

Duke u ndalur te deklaratat e Ambasadores Yuri Kim, e cila kërkoi distancimin e PD-së nga Berisha, ai këmbënguli se do të jetë në parlament si deputet demokrat.

Irritimi i saj (Ambasadores Yuri Kim) ishte për daljen time në një televizion të Kosovës ku shpreha rezervat e mia ndaj Mathew Palmer për shkak se ai ka qenë promotor i projektit për ndryshimin e kufijve të Kosovës dhe unë kam qenë një nga kundërshtarët e flaktë të atij projekti,” tha ish-kryeministri.

Berisha u shpreh se në takimin e zhvilluar në selinë e PD-së mes Kim dhe Bashës, ky i fundit i ka kërkuar ambasadores transparencë mbi akuzat, por që “nuk ka marrë përgjigje pozitive”.

Më 19 maj Sekretari i DASH Blinken njoftoi se kishte shpallur Berishën dhe familjarët e tij “të padëshiruar” në SHBA për “korrupsion të niveleve të larta” dhe “cenim të demokracisë”.

Top Channel