Protestë kundër ndërtimit të ri/ Durrës, protesta në plazh, banorët kërkojnë mos lejohet pallati ngjitur

22/10/2021 15:13

Banorë të një pallati në zonën e plazhit të Durrësit kanë vendosur të reagojnë dhe të mos lejojnë vazhdimin e punimeve për ndërtimin e një objekti të ri, pranë pallatit të tyre.

Dy ditë më parë ata protestuan edhe para prokurorisë për heshtjen e institucioneve ndaj shqetësimit të tyre, që po u rrezikon jetën brenda godinës së dëmtuar nga tërmeti 2 vite më parë. Ata hodhën dyshime mbi afera korruptive në procedurën e lëshimit të lejes së ndërtimit nga bashkia e Durrësit, si dhe të procesit të rindërtimit që po vijon pas tërmetit të 26 nëntorit.

Të irrituar nga heshtja e institucioneve dhe nga rreziku që u kanoset nga mosrespektimi i distancave mes dy objekteve, banorët kërkojnë ndërhyrjen e shpejtë të autoriteteve, pasi kjo situatë mund t’i çojë dhe drejt veprimeve ekstreme, vetëgjyqësisë.

Ndërprerja e gërmimeve për hapjen e themeleve ishte e përkohshme. Pas largimit të gazetarëve, punimet rifilluan nga kompania ndërtuese, duke rikthyer panikun te banorët.

Top Channel