Digjitalizimi është një nga objektivat kryesore në programin e Qeverisë, ndërsa agjenda e re digjitale do të jetë një nga pikat kryesore të strategjisë së re kombëtare të zhvillimit, tha kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti në hapjen e konferencës së teknologjisë të KosICT 10.
Në konferencën më të madhe në rajon në fushën e teknologjisë së informacionit dhe të komunikimit (TIK), në ambientet e Parkut të Inovacionit dhe Trajnimit në Prizren (ITP), kryeministri Kurti mori pjesë së bashku me ministren e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli dhe kryetarin e komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka.
Kryeministri vuri theksin te rëndësia e transformimit digjital, si një shtytës i rëndësishëm i produktivitetit dhe rritjes në ekonomi.
“Ne synojmë të përdorim transformimin digjital si nxitës për të përmirësuar administratën tonë publike, sistemin tonë arsimor, sektorin shëndetësor, sistemin e drejtësisë dhe të gjitha fushat e tjera të qeverisjes”, tha ai.
Kurti veçoi disa nga aktivitetet kryesore në të cilat qeveria është angazhuar në fushën e digjitalizimit, inovacionit dhe ndërmarrësisë si shtytës vendimtarë të zhvillimit socio-ekonomik në vendin tonë.
“Zhvillimi i kapaciteteve njerëzore për nevojat e industrisë së TIK-ut është mundësia kryesore për çlirimin e potencialit të rritjes së këtij sektori në Kosovë”, tha ai.
Si pjesë e Pakos së Ringjalljes Ekonomike, të miratuar nga Qeveria, është një masë e cila mbështet trajnimet për teknologjinë e informacionit dhe komunikimit (TIK) dhe subvencionon pagat për të rinjtë që do të punësohen në këtë sektor. Kjo masë synon të rrisë punësimin e të rinjve, por në të njëjtën kohë synon të adresojë nevojat e industrisë së TIK-ut për profesionistë të aftë.
Kryeministri theksoi angazhimin e vazhdueshëm të Qeverisë për ta bërë Parkun e Inovacionit dhe Trajnimit në Prizren një qendër kombëtare dhe rajonale për ndërmarrësi dhe inovacion.
Sipas njw komunikate tw Qeverisw, Kurti konfirmoi gatishmërinë e Qeverisë për të bashkëpunuar ngushtë me sektorin privat dhe akademinë në arritjen e objektivave të përbashkëta që synojnë zhvillimin e vendit tonë.
Top Channel