Kapet laboratori i kriptomonedhave/ Krujë, zbulohet nga kontrolli i lidhjeve të paligjshme

22/10/2021 15:11

Kontrolli rutinë i inspektorëve të OSHEE ka zbuluar një laborator ilegal të prodhimit të kriptomonedhave në Krujë.

Inspektori konstatoi se në një ndërtesë që nuk kishte as matës energjie kishte konsum energjie dhe u gjet edhe lidhja e paligjshme. Më pas është njoftuar policia që ka nisur hetimin. Këto janë pamjet e siguruara nga Top Channel në momentin e konstatimit të lidhjes së paligjshme që tregonin konsum të lartë energjie në banesën.

Pasi policët hynë në ndërtesë gjetën këto pajisje të prodhimit të bitcoin. Banesa është pronë e një emigranti në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ndërsa thuhej se është marrë me qira nga një student. Brenda saj nuk banonte asnjë person, por 24 orë të ditës këto pajisje të teknologjisë së lartë punonin duke vjedhur energjinë elektrike. Këto pajisje të teknologjisë së lartë që përdoren për dizenjimin e parave digjitale, hedhja në tregun virtual të të cilave nuk është ende e rregulluar me ligj.

Objekti ishte në listën e abonentëve të dyshimtë të OSHEE-së për vjedhje të energjisë elektrike dhe vetëm pas dyshimeve dhe bashkëpunimit me policinë u arrit të konstatohet pajisja kompjuterike që përdorej për krijimin e kriptomonedhave. Nuk ka ende detaje se cili lloj i kriptovalutës përdorej në këtë. Pajisja e gjendur brenda objektit është sekuestruar, ndërsa nën akuzë është vënë personi që ka në përdorim objektin përmes marrjes me qira.

Top Channel