Aksioni kundër informalitetit në transportin e pasagjerëve: Ndëshkohen 10 subjekte në Tiranë

22/10/2021 16:30

Ditën e sotme, Task Forca e Transportit Rrugor ka zhvilluar aksion për goditjen e paligjshmërisë ndaj subjekteve të cilat ushtrojnë aktivitetin e transportit të pasagjerëve pa qenë të pajisur me licencat përkatëse.

Brenda pak orëve, janë ndëshkuar afro 10 subjekte. Aksionet e Task-Forcës janë fokusuar kryesisht në Tiranë, rrugët hyrëse dhe dalëse të kryeqytetit, ndërsa në ditët në vijim aksioni do të shtrihet në të gjithë territorin e vendit. Nga kontrollet e ushtruara janë konstatuar një sërë drejtuesish mjetesh të cilët ushtronin aktivitetin e transportit të pasagjerëve pa qenë të pajisur me licencë, apo raste ku licenca kishte kaluar afatin e vlefshmërisë.

Kjo u paralajmërua edhe nga Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku ditën e djeshme, kur tha se do të nisë aksioni i gjerë kundër goditjes së informalitetit në transportin publik të pasagjerëve dhe që do të vijojë edhe në javët në vijim në të gjitha akset rrugore të vendit.

Deklarata e Ballukut u bë gjatë një takimi që ministrja zhvilloi me përfaqësuesit e Shoqatave të Transportit Publik, të cilët ngritën si shqetësim ushtrimin e aktivitetit nga ana e subjekteve të pa pajisur me licenca. Sipas tyre, konkurrenca e pandershme po dëmtonte operatorët e licensuar të cilët ndodhen në pozitë të vështirë për shkak të fazës së post pandemisë.

Top Channel