Internet me bluetooth/ Studentja shqiptare, e dyta në konkursin ndërkombëtar me projektin e saj

19/10/2021 19:58

Ideja më e re e studentes durrsake Xhulia Kurti për teknologjinë pa Wi-Fi ka tërhequr vëmendjen e ekspertëve të cilët e zgjodhën si një nga dy projektet fituese në konkursin botëror të teknologjisë, i cili këtë vit u zhvillua në Mynih, nën kujdesin e Ministrisë Gjermane të Teknologjisë dhe Infrastrukturës.

Të gjithëve na ka ndodhur të mbetemi pa internet dhe wi-fi në celular, po Xhulia vjen me një zgjidhje konkrete për këtë.

“Ideja ime është një teknologji pa wi-fi, që mbështetet në bluetooth, në energjinë e ulët për pajisjet që ne përdorim. Ishte një garë shumë e rëndësishme botërore dhe u përzgjodha e dyta në botë në garën për energjinë interaktive të pajisjeve elektronike”, u shpreh Xhulia Kurti.

Xhulia shprehet se teknologjia pa wi-fi që ajo propozon do të jetë e sigurtë dhe efikase, ndërsa është ftuar në një takim me sponsor evropianë për ta kthyer atë në realitet.

“Pjesa që propozoj lidhet me mbështetjen e energjisë së ulët në lundrimin në internet, duke mos harxhuar shumë bateri dhe një navigim efikas veçanërisht në marrëdhëniet publike që individi ka me internetin në shkëmbimin e mesazheve, dërgimin e fotove etj”, tha ajo.

Pasioni dhe studimet e saj në bachelor për shkenca kompjuterike, në Universitetin e Durrësit e orientuan drejt gjetjes së risive në këtë fushë.

“Ideja lindi natyrshëm pasi sfida ku mora pjesë ishte mjaft interesante: si ti lidhim pajisjet hardware ose pajisjet e transportit mes tyre me lidhje inovative. Kjo ishte një teknologji që më tërhiqte shumë si për shkak të studimeve, po dhe të idesë që do të kisha avantazh në këtë drejtim”, u shpreh ajo.

Ëndrra e Xhulias nuk mbaron këtu, ndërsa i është mirënjohëse familjes per gjithçka ka arritur deri tani. Sfida e radhës për studenten e universitetit “Aleksandër Moisiu” është teknologjia 5G, ndërsa ka dhe një mesazh për bashkëmoshatarët e saj.

“Asnjëherë nuk duhet ta kufizojmë veten tonë. Duhet ta mendojmë çdo gjë si të arritshme, pavarësisht sfidave apo humbjeve në detaje. Mjafton që ideja juaj të paraqitet kudo dhe ajo do të vlerësohet një ditë”, tha ajo.

Top Channel