Stuhia “Balos” në Greqi përmbyt shtëpi dhe dyqane, nesër mbyllen shkollat në disa zona të vendit

14/10/2021 17:44

Reshjet e shiut, më të mëdhatë e viteve të fundit, kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme në kryeqytetin e vendit, Athinë, duke përmbytur shumë shtëpi dhe ambiente tregtare.

Autoritetet lokale thanë se shërbimi zjarrëfikës ka marrë më shumë se 400 telefonata për evakuime ose përmbyetje, ndërsa dhjetra pemë janë rrëzuar duke shkaktuar dëme në automjete.

Trafiku në rrugët e Athinës është kaotik, po ashtu shumë ura dhe nyje lidhëse të arterieve kryesore të kryeqytetit janë përmbytur.

Për momentin nuk raportohen dëme në njerëz, edhe pse autoritetet kanë apeluar që qytetarët të shmangin lëvizjet e panevojshme gjatë 24 orëve të ardhshme, pasi reshjet e shiut pritet të vazhdojnë. Metereologët kanë njoftuar për një sasi rekord reshjesh, të cilat pritet të bien mbi territorin e vendit.

Stuhia “Balos” ka prekur pothuajse gjithë territorin e vendit, ndërsa autoritetet kanë ngritur alarmin, veçanërisht në zonat periferike të Atikës dhe Evias, të cilat u dogjën nga zjarri verën e kaluar.

Me vendim të prefekturës së Atikës, u vendos që shkollat të jenë të mbylluara gjatë ditës së premte, ndërsa në terren kanë dalë gjithë forcat e mbrojtjes civile, si dhe janë vënë në gadishmëri edhe ushtria dhe policia.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA