Një bashkëshort nga Bosnia ka ndërtuar një shtëpi që rrotullohet 360 gradë rreth boshtit të saj teksa përpiqet të fitojë dashurinë e gruas së tij Ljubica, e cila i kërkoi të zgjidhte atë që shikonte nga dritarja.
Shtëpia rrotulluese në qytezën e Srbac, në veri të Bosnies është dizenjuar dhe ndërtuar nga 72-vjeçari Vojin Kusic, i cili nuk ka studiuar as arkitekturë e as inxhinieri, madje nuk ka as diplomë universiteti.
Me fasadën e saj të gjelbër dhe çatinë e metaltë, shtëpia mund të rrotullohet në rreth të plotë me shpejtesi te ndryshme, duke zgjedhur panoramën e çdo dritareje.
I zoti i shtëpisë thotë: “Tani që jam më i moshuar dhe që fëmijët kujdesen për biznesin familjar, më në fund kisha kohë të lirë për veten dhe i plotësova këtë dëshirë gruas, që ajo të pozicionojë dhomat si të dëshirojë”.
Vite më parë kur ata ishin martuar, Vojin kishte ndërtuar një tjetër shtëpi për veten dhe gruan, ku ata rritën tre fëmijët e tyre.
Asokohe gruaja e tij dëshironte që dhomat e gjumit të shihnin nga dielli, por kjo bëri që dhoma e ndenies shihte nga rruga.
Gruaja ankohej se nuk mund të shihte njerëzit që hynin në oborr dhe Vojin duhet të rimodelonte gjithçka.
“Rrëzova muret e dhomave dhe zhvendosa instalacionet elektrike. U desh shumë punë por më në fund ia arrita të bëja atë që donte gruaja”.
Vojin, nuk kishte shansin të shkonte në universitet, por kjo nuk e ndaloi të ndërtonte vetë shtëpinë e tij rrotulluese.
Shtëpia është montuar në një kollonë betoni dhe përdor motorë elektrikë për t’u rrotulluar, si dhe rrotat e një mjeti të vjetër të ushtrisë.
“Tani edhe dera kryesore rrotullohet, kështu që nëse ajo sheh vizitorë të padëshiruar mund të kthejë shtëpinë nga ana tjetër”, thotë ai me shaka.
Me shpejtësinë më të madhe, shtëpia mund të kryejë rrotullimin e plotë për vetëm 22 sekonda, ndërsa me shpejtësinë më të ngadaltë ajo kryen rrotullimin për 24 orë.
Emri i gruas së tij Ljubica, në gjuhën boshnjake do të thotë ‘e dashur’ por ajo refuzoi të intervistohej.
Top Channel