Nasa dhe Space X e Elon Musk kanë bashkuar forcat për një mision të pazakontë: ai quhet DART ( Double Asteroid Redirection Test) dhe ka për qëllim të ndryshojë që në hapësirë trajektoren e një asteroidi i cili po i afrohet Tokës.
Kur të niset nga Kalifornia në 23 nëntor, në bordin e raketës Falcon 9 të Space X do të ketë një sondë të Nasës. DART është projekti i parë që përdor teknologjinë e impaktit kinetik për të goditur një trup qiellor potencialisht të rrezikshëm. Asteroidi quhet Didymos dhe është i përbërë nga dy pjesë: pjesa kryesore ka një diametër prej rreth 780 metrash, ndërsa tjetra 160.
Pas goditjes së fortë nga DART, trajektorja e gurit te stërmadh, e cila monitorohet pa pushim nga Toka përmes teleskopëve të fuqishëm, mendohet që do të ndryshojë. Në momentin e impaktit, asteroidi do të jetë 11 milionë kilometra larg planetit tonë. Përplasja llogaritet të ndodhë rreth një vit pas lëshimit të raketës.
Nëse misioni rezulton i suksesshëm, kjo mënyrë mund të përdoret pas kësaj rëndom për të goditur trupa të tjerë të mundshëm qiellorë që i drejtohen tokës. Deri tani agjensia amerikane e hapësirës ka zbuluar mbi 8.000 asteroidë pranë planetit me një diametër më të madh se 140 metra, që do të thotë gruë qiellorë mjaftueshëm të mëdhenj sa për të fshirë nga harta një shtet të tërë nëse do të binin direkt mbi SHBA.
Top Channel