I shpëtuan jetën një banori të Tiranës/ Veliaj takon dhe falënderon policët bashkiakë

09/10/2021 15:00

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj priti një përfaqësi të Policisë Bashkiake, të cilët i falenderoi për punën e bërë në kryeqytet, sidomos në dy momente kyç gjatë këtij viti, njëra prej të cilave ishte shpëtimi i jetës së një qytetari.

“Një nga momentet ishte incidenti që patëm me Presidentin e Republikës. E vlerësoj punën tuaj sepse pavarësisht se kush është autoriteti, se çfarë imuniteti ka, apo pavarësisht çfarë detyre shtetërore ka, në këtë qytet jemi të gjithë të barabartë. Askush nuk lejohet të zaptojë, askush nuk lejohet të dhunojë një uniformë, që është aty për të na shërbyer të gjithëve, dhe askush nuk lejohet që qytetin ta kthejë në sebep për sherr, apo për pikë politike. Momenti tjetër kyç ka të bëjë me parandalimin e një akti të dëshpëruar, që dikush ndoshta edhe për trazimin e tij, e ka menduar si zgjidhje, por fundi i jetës nuk është zgjidhje dhe detyra e policisë është edhe të ndihmoje ne parandalimin e akteve të tilla”, u shpreh Veliaj.

Kryebashkiaku vuri theksin te rëndësia që ka ekipi i Policisë Bashkiake, sidomos në ruajtjen e investimeve të bëra në kryeqytet.

“Nëse ky qytet ka sot një rritje të vlerës së pronës 11.3% vetëm në këtë 6-mujor që kaluam, është edhe falë punës së Policisë Bashkiake. Kjo vlerë e pronës është shtuar se nuk hidhen më plehrat, se nuk bllokohen më trotuaret, se nuk shtrihen më njerëzit në rrugë, se shitja bëhet në tregje dhe jo te shtëpia ose shkolla, ose te dritarja e apartamentit tënd. Kjo është një punë shumë e vështirë, por dikush duhet ta bëjë dhe i ka rënë për hise policisë bashkiake ta bëjë këtë punë. Faktorin kryesor të rritjes së vlerës së pronës në Tiranë, e kanë investimet e bashkisë dhe ruajtja e këtyre investimeve që e bën policia bashkiake”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA