Kryeministri Edi Rama ka lajmëruar sot se do të prezantojë planin e posaçëm për të përballuar situatën e krizës energjetike për mbrojtjen e qytetarëve dhe biznesit të vogël nga efektet që do të krijonin një rritje të pakontrollueshme të çmimeve në ekonominë e tyre.
Rama tha të premten se kjo krizë, e diktuar edhe nga klima që ka prekur të gjithë Europën, do të ketë kulmin deri në mesin e vitit të ardhshëm, ndërsa vuri në dukje, se edhe pas tejkalimit të saj, çmimi i energjisë nuk do të kthehet më në nivelet e tanishme.
Në një vendim të Këshillit të Ministrave theksohet se shoqëritë “KESH”, sh.a., “OST”, sh.a., dhe “OSHEE Group”, sh.a., të pezullojnë planet e investimeve, përveç investimeve të domosdoshme për ushtrimin e veprimtarisë.
Sipas këtij vendimi, këto shoqëri duhet të koordinojnë ushtrimin e aktivitetit, në përputhje me udhëzimet e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, me qëllim garantimin e pandërprerë të energjisë elektrike.
Kujtojmë se kryeministri Edi Rama në një konferencë njoftoi se sot do të bëjë planin për të përballuar situatën e krizës energjetike.
“Kemi pasur një mbledhje jashtë rendit të përjavshëm për të marrë një vendim për të deklaruar emergjencën e furnizimit të energjisë elektrike. Vendimi është i diktuar nga një situatë e përgjithshme e rritjes marramendëse e çmimit në energjisë në tregjet ndërkombëtare. I jep qeverisë mundësinë që të ndërhyjë qoftë me instrumentet financiare, qoftë me instrument të natyrës administrative. Me këtë vendim i hapim rrugë edhe ekzekutimit të planit të posaçëm për të përballuar këtë situatë dhe planin do ta bëjmë publik”, tha Rama.
Top Channel