Nëna që postoi foton pikëlluese të vajzës së saj që ngushëllonte vëllanë e vogël teksa villte nga kemioterapia, ka dhënë informacione të reja mbi gjendjen e birit të saj të guximshëm.
Beckett Burge ishte diagnostikuar me leukemi në prill 2018 dhe kaloi disa muaj në spital për trajtime.
Fotoja ishte bërë e njohur ne rrjet që prej postimit në mediat sociale në 2019, kur Beckett ishte 4 vjeç, dhe ngushëllohej nga motra e tij Aubrey, 5 vjeçe.
Tashmë nëna e tyre Kaitlin Burge, 30 vjeçe, thotë se më në fund doktorët kanë thënë se djali i saj duket i shëruar nga sëmundja.
Kaitlin, e cila jeton në Texas, SHBA, thotë se Beckett, tashmë gjashtë vjeç, është rikthyer në shkollë pasi përfundoi ciklin e kemiopterapisë.
Nëna thotë: “U emocionova shumë kur na thanë se është i shëruar. Onkologu erdhi e na tha ‘Jo më kemio, mbaruam, hiqni gjithçka’”.
“Vetë Beckett u shokua, fytyra e tij u ndriçua por është ende nervoz. Tani ai ka mbaruar zyrtarisht me sëmundjen, një moment që është edhe i ëmbël edhe i hidhur”.
Kaitlin thotë se kishte publikuar foton e vrazhdë të fëmijëve të saj për të treguar rëndësinë e familjes në kohë krize.
Aty shihet Aubrey që mbështet vëllanë e saj teksa ky i fundit përkulet mbi tualet me të përziera.
Kaitlin thotë se Aubrey ka pasur një influencë aq të madhe te vëllai i saj gjatë periudhës së luftës me sëmundjen.
“Ajo ka qenë si një figurë nëne për të, por tani që trajtimi ka marrë fund, ai është më i pavarur”.
I vogli kishte kryer kemioterapi, transfuzione gjaku dhe transfuzione plateleti.
Tani që është shëruar Kaitlin thotë se djali i saj i vogël është bërë një fëmijë më normal.
Ajo tregon: “Ai ka ende efektet anësore të kemioterapisë, ka dhimbje në këmbë që e pengon në të ecur, por në përgjithsi është i lumtur. Ata të dy mund të luajnë si vëlla e motër. Unë i çoj në shkollë në mëngjes dhe ata kthehen bashkë me biçikletë”.
Top Channel