1 palestinez i vrarë e 12 të plagosur në përleshjet kundër kolonisë izraelite në Nablus

24/09/2021 18:50

Një i ri palestinez ka vdekur dhe të paktën 12 janë plagosur nga ushtria izraelite që hapi zjarr sot ndaj një grupi që protestonin kundër ndërtimit të kolonive të reja izraelite në qytetet e Beita e Beit Dajan pranë Nablus.

Mediat palestineze thanë se vendasit u përleshën me ushtrinë izraelite në qytezat pranë Nablus në tokat e pushtuara të Bregut Perëndimor.

Agjencia palestineze SAFA tha se protestuesit pas lutjeve të së premtes u drejtuan nga fshati Beita, një koloni e re izraelite që është fokusi i demonstratave të reja të rezistencës.

Trupat izraelite qëlluan fillimisht me granata shurdhuese dhe plumba gome. Më tej mediat thanë se të paktën 12 njerëz ishin plagosur nga plumbat e zjarrit dhe 18 të tjere nga ekspozimi ndaj gazit lotsjellës.

Ministria Palestineze e shëndetësisë tha se kishte humbur jetën nga një plumb në kokë 27 vjeçari Mohammed Ali Khabisa, që humbi jetën rrugës për në spital.

Në serinë e protestave në zonë palestinezët kërkojnë largimin e kolonisë izraelite në Beita dhe kthimin e tokës së tyre. Sipas një marrëveshjeje të arritur në korrik, kolonia do të reduktohej në një masë të konsderueshme, por ndërtesat mbeten aty bashkë me ushtarët izraelite.

Sipas ligjit ndërkombëtar, toka ku është ndërtuar kolonia është njohur si palestineze dhe programi izraelit i zgjerimit të kolonive është dënuar në mbarë botën.

FOTO GALERI
2/3
Protestuesit pas lutjeve të së premtes u drejtuan nga fshati Beita, një koloni e re izraelite që është fokusi i demonstratave

Top Channel