Ministrja Spiropali takohet me kreun e Kuvendit të Kosovës, zbardhen diskutimet: U fokusuam te…

21/09/2021 17:07

Ministrja e marrëdhënieve me Parlamentin, Elisa Spiropali ka udhëtuar drejt Kosovës ku është takuar me kreun e Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca.

Spiropali bën me dije se diskutimi është fokusuar në domosdoshmërinë e thellimit të mëtejshëm të marrëdhënieve të të gjithë faktorëve politikë dhe institucionalë, për sfidat tona të përbashkëta.

“Takim i ngrohtë dhe vëllazëror me Kryetarin e Kuvendit të Kosovës, z.Glauk Konjufca.

Shqipëria dhe Kosova janë një komb, vendosur mes dy shtetesh sovrane, të pavarura, me perspektivë evropiane dhe sytë drejt e nga e ardhmja.

Bisedën me z.Konjufca e fokusuam në domosdoshmërinë e thellimit të mëtejshëm të marrëdhënieve të të gjithë faktorëve politikë dhe institucionalë, për sfidat tona të përbashkëta.

Si ministre e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, do ndjek me përkushtim të veçantë çdo akt që lidhet me Kosovën në qeveri dhe në Kuvendin e Shqipërisë”, shkruan Spiropali.

Në lidhje me këtë takim ka reaguar edhe kreu i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca.

Pasi i përcolli Spiropalit përgëzimet për konstituimin e institucioneve të reja, të dala nga zgjedhjet e 25 prillit të këtij viti, vlerësoi si shumë të rëndësishëm bashkëpunimin në mes të dy vendeve tona, si dhe shprehu gatishmërinë për të intensifikuar dhe thelluar edhe më tutje në të gjitha fushat bashkëpunimin gjithëpërfshirës bilateral.

Në takimin e përzemërt, kreu i Kuvendit dhe ministrja Spiropali u dakorduan se marrëdhëniet midis Kosovës dhe Shqipërisë janë kërkesë imanente e kohës dhe ato duhet të zgjerohen e fuqizohen akoma më shumë në linjën e bashkëpunimit vëllazëror. Po ashtu konstatuan se ndihma e Shqipërisë për Kosovën është tejet e rëndësishme, meqë Kosova aktualisht ndodhet në procese shumë të rëndësishme për të ardhmen e saj.

FOTO GALERI
2/5

Top Channel