Elton Metaj rrëfen momentet e fundit të Sabrinës: E kapa duke më tradhtuar. Shkrepa armën, por e vrau i ati

18/09/2021 09:31
Viktima Sabrina Bengaj dhe autori Elton Metaj

Elton Metaj, i cili ekzekutoi ish bashkëshorten e tij Sabrina Bengaj teksa po hante bukë në banesën e prindërve ka zbuluar përmes një letre nga ambientet e paraburgimit se si ndodhi e gjithë ngjarja.  

Metaj tha se kishin komunikim dhe takoheshin me njëri-tjetrin, por gjithçka ndryshoi kur u kthye nga Greqia pasi Sabrina i kërkoi të mos flisnin më se kishte një të dashur tjetër. Autori i krimit rrëfeu se shkaktar për ngjarjen e rëndë është babai i Sabrinës, i cili e kërcënonte vazhdimisht dhe i kërkonte të takoheshin për “ta zhdukur”.

“Unë Elton Metaj dua të sqaroj opinionin publik se çfarë ka ndodhur përsa i përket veprimit tim. Jam liruar nga spitali i Zaharisë më datë 26 korrik 2021, një ditë më pas jam takuar me ish-bashkëshorten time, mamanë dhe të tjerë familjarë të saj. U ulëm, pimë kafe dhe folëm pa asnjë problem. Më datë 1 gusht, ish bashkëshortja merr leje nga puna dhe kemi ndenjur bashkë, kemi kryer marrëdhënie seksuale.

Më pas e kam shoqëruar në shtëpi, takimet tona kanë qenë të përditshme. E merrja dhe e shoqëroja në punë, por gjithmonë ruhej nga babai i saj që të mos e kuptonte se ne i kishim rregulluar muhabetet. Mamaja, vëllai dhe kunata e saj ishin në dijeni të bashkimit tonë.

Më datë 10-11 gusht u largova në Greqi dhe qëndrova 2 javë. Kur u ktheva nga Greqia, pashë që gjërat kishin ndryshuar. Ish-vjehrri filloi me kërcënimet. Duke e njohur atë i mora seriozisht. Kam shkuar në polici dhe oficeri i policisë, Eugeni më tha se nuk ka kohë, hajde pas 2-3 ditësh. Kërcënimet vazhdonin, nuk dija si të veproja, avokatët më thanë të shkoj sërish në polici. Eugeni sërish nuk më priti. Vjehrri më linte vendtakime për të më goditur, ndërkohë komunikoj me ish bashkëshorten. Sabrina më tha se “babai e ka marrë vesh dhe do na zhdukë të dyve. Nuk do takohemi më se kam të dashur tjetër.”

Kjo sjellje më habiti se e kishim lënë të ribashkoheshim dhe të vazhdonim jetën. Ne duheshim dhe nuk kishim asnjë konflikt.

Ish-vjehrri më shkruajti sërish në Facebook dhe më la takim në Patos dhe më tha: “Hajde se do të të zhduk”. Duke qenë në një gjendje të ngarkuar emocionale, shkova mora armën aty ku e kisha fshehur, shkova tek shtëpia e ish vjehrrit. Pasi hyra në banesë, ish-bashkëshortja po fliste në “Skype” me të dashurin.

Në momentin që më pa, mbylli telefonin dhe erdhi ish kunata që filloi të qeshte. Asaj iu bë qejfi që unë e kapa ish bashkëshorten me të dashurin e saj. Ajo kërkoi të dilnim në oborr duke më thënë se “Nuk kam më punë me ty”. Në moment, pa asnjë dëshirë për ta ekzekutuar se nuk e kisha konfliktin me të por me babain, i cili është shkaktar i kësaj tragjedie, shkrepa armën që më doli nga kontrolli dhe mësova se Sabrina kishte ndërruar jetë. Për sa më sipër jam fajtor për aktin, por dua të sqarohen të gjithë se çfarë kam deklaruar, të hapen mesazhet kërcënues në rrjete sociale. Unë kam shkrepur armën, por vrasjen e ka bërë babai i saj”, shkruan Elton Metaj në letrën e tij që u transmetua në emisionin “Shqipëria Live”.

Ndërkohë Gjykata e Fierit ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg” për Elton Metaj, autorin e vrasjes së ish bashkëshortes së tij, 23-vjeçares Sabrina Bengaj.

Metaj njihej si një person problematik. Top Channel ka mësuar gjithashtu se më 20 shtator të vitit të kaluar, 31-vjeçari ka marrë peng familjarët e viktimës. Është dashur ndërhyrja e policisë që të liroheshin personat e marrë peng. Ndërkohë po një vit më parë ai u gjykua për 3 akuza: armëmbajtje pa leje, dhunë në familje dhe pengmarrje.

FOTO GALERI
6/10

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA