FrankoBenanti (1913-1987), autori i librit “Lufta ime më e gjatë: Shqipëri 1943-1948”, botuar e ribotuar disa herë në vendin e tij, në Itali, por që në gjuhën shqipe publikohet për herë të parë nga shtëpia botuese “Naimi”, është një prej dëshmitarëve të paktë të luftës dhe të pasluftës antifashiste në Shqipëri, që kanë shkruar për çfarë kanë parë dhe jetuar vetë gjatë atyre viteve të vështira.
Duke qenë mjek i mobilizuar në ushtrinë fashiste, Benanti erdhi me një mision të përkohshëm në Shqipëri për herë të parë në vitin 1941, ndërsa nga gushti i vitit 1943 deri në qershorin e vitit 1948 ai do të bëhej pjesë e kalvarit që pësoi ushtria e Musolinit. Pas shpartallimit të ushtrisë italiane, autori i librit shërbeu si mjek në spitalet partizane e vitet e fundit si “plaçkë lufte”.
Pikërisht për shkak të profesionit, pra, duke bredhur nëpër spitalet ambulante të luftës në jug të vendit, Benanti do të njihte “pas perdes”, nga afër, disa prej protagonistëve të Luftës Çlirimtare dhe pushtetit komunist të dalë prej saj, duke filluar me Hoxhën, Shehun, Kapon, N. Spirun, Koçi Xoxen, GogoNushin, Drita Kosturin, Ibrahim Dervishin, Liri Gegën, Islam Radovickën, Liri Belishovën, Beqir Ballukun, Manush Myftiun, Riza Kodhelin, dr. Polenën, Sherif Klosin etj.
Në libër jepen informacione interesante edhe për aspekte e faktorë të tjerë të luftës si situata kaotike e shpartallimit të ushtrisë fashiste apo sakrificat dhe kontributi i atyre italianëve që, pas kësaj, iu bashkuan apo i shërbyen krahut antifashist dhe rindërtimit të vendit, ndërhyrjes jugosllave në politikën shqiptare. Në këtë libër veçmas jepen të dhëna konkrete për fillimet e politikës ateiste të regjimit komunist si edhe represionin e ushtruar ndaj disa prej figurave të klerit katolik.
Ky është një libër i dobishëm, ku qindra lexues do të gjejnë të dhëna për jetëshkrimet e prindërve apo gjyshërve të tyre, ku studiuesit e historisë së luftës antifashiste do të gjejnë burime parësore për verifikimin e pikëpamjeve dhe të tezave të parashtruara deri më tani; ku mund të vërejnë edhe pamjen e vërtetë të fashizmit në periudhën e rënies.
Të dhëna për librin
Autor: FrankoBenanti
Shtëpia Botuese: Naimi
Botuar në: 2012
Përkthyes: Luan Malaj
Top Channel