Greqi/ Sekuestrohen 335 kg kanabis! Vinte nga Shqipëria, në pranga shoferi 52-vjeçar

11/09/2021 20:13

335 kilogramë kanabis u sekuestruan mëngjesin e së shtunës në aksin që lidh Janinën me Athinën në vendin e quajtur Amfiloqia.

Sipas departamentit të Anti-Drogës së Epirit, lënda narkotike ishte ngarkuar në kufirin shqiptaro- grek në zonën mes Janinës dhe Igumenicës dhe po transportohej në bordin e një furgoni me targa greke që drejtohej prej një 52-vjeçari me shtetësi greke por origjinë shqiptare, i cili banonte në Megara të Atikës.

Mësohet se lënda narkotike do të dorëzohej në Athinë tek një shtetas shqiptar i cili është shpallur në kërkim.

Policia greke thotë se kjo është sasi e parë e madhe për këtë vit, pasi masat kufizuese për mbjelljen e kanabisit në Greqi, por edhe kontrollet e shpeshta të policisë kufitare greke kanë reduktuar ndjeshëm hyrjen e narkotikëve nga Shqipëria.

FOTO GALERI
1/2

Top Channel