Arrestohet nga Policia autori i vrasjes së ish-bashkëshortes në fshatin Zhupan mbrëmjen e djeshme, shtetasi Elton Metaj.
Pas tre orë ndjekje, Forcat Operacionale, Forca e Posacme “Shqiponja” dhe me 2 grupe të FNSH Fier, bënë të mundur lokalizimin dhe kapjen e autorit në një zonë të pyllëzuar të fshatit Peshtan, bashkë me armën e krimit automatik dhe motomjetin me të cilin u largua nga vendngjarja.
Shtetasi Elton Meta, 31 -vjeç vrau me armë zjarri ish-bashkëshorten e tij Sabrina Bendaj në banesën e ish-vjehrrit. Top Channel ka mësuar se çifti janë prindër të një vajze të mitur.
Po kush është Elton Meta që tronditi sërish vendin me krim brenda familjes?
Autori i krimit, Elton Meta njihej si një person problematik. Top Channel ka mësuar gjithashtu se më 20 shtator të vitit të kaluar, 31-vjeçari ka marrë peng familjarët e viktimës. Është dashur ndërhyrja e policisë që të liroheshin personat e marrë peng. Ndërkohë po një vit më parë ai u gjykua për 3 akuza: armëmbajtje pa leje, dhunë në familje dhe pengmarrje.
Për ngjarjen e rëndë reaguan edhe familjarët e viktimës
Armando Bendaj, vëllai i viktimës në një prononcim për mediat akuzon gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar që nuk i dhanë dënimin e merituar 31-vjeçarit pasi më herët ai ishte akuzuar për dhunë dhe armë mbajtje pa leje. “Ai ishte një frikacak që të vriste pas krahëve, trimi del përballë. Ishte mamaja në momentin e ngjarjes. Motrën e vrau kur po hante bukë, sa u kthye nga puna. Motra ndërroi jetë në vend, plumbi e kishte kapur në mushkëri”- u shpreh vëllai i viktimës.
Shtetasi Elton Metaj akuzohet për veprën penale “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare”, ( i dënuar më parë për veprat penale “Armëmbajtja pa leje” , “Kundërshtim i punonjësit të policisë” dhe “Dhunë në familje” ).
Top Channel