Fiks Fare/ Plehrat e banorëve në derë të shkollës “Bajram Gashi” në Durrës

10/09/2021 20:40

Fiks Fare denoncoi mbrëmjen e së premtes hedhjen e plehrave në derë të shkollës 9-vjeçare “Bajram Gashi”, në Fllakë të Durrësit.

Drejtoresha Merita Difi kërkoi ndihmën e emisionit investigativ, pasi kazani i mbeturinave është 10 metra larg hyrjes së shkollës. Sipas saj, plehrat hidhen në derë të shkollës, ku ndalojnë autobusët dhe zbresin nxënësit. Ajo thotë se plehrat i kanë pastruar vetë, pasi fëmijët edhe mund të çahen me mbetje qelqi apo të bëhen pis.

“Ne si shkollë menduam që ta spostonim disa metra, pasi është në derë të shkollës. E spostuam vetë, po dikush këtu na e solli sërish këtu. Është burri i pastrueses që ka shtëpinë ngjitur me shkollën. Ka dasmë dhe s’do plehra afër fikut. Ne s’ia lamë në derë të shtëpisë, po te rruga afër një fiku. E solli sërish këtu dhe tani na bëjnë presion që mos ta lëvizim. Helmohen 250 nxënës dhe ai kujdeset për fikun. Kërkojmë nga Bashkia e Durrësit që ta spostojë disa metra, rrezikohen fëmijët. Ato janë plehrat e lagjes dhe si sjellin te shkolla, kurse shkolla ka një kosh plehrash brenda shkollës” thotë drejtoresha. Fiksi pyeti edhe kryetarin e fshatit Fllakë, Besim Elezi, i cili kërkoi që kazani i plehrave të zhvendoset disa metra larg nga dera e shkollës.

Pas intervistave të drejtoreshës dhe kryetarit të fshatit, personi i cili e zhvendosi kazanin në derë të shkollës i tha gazetarëve se vendi ka qenë atje dhe drejtoresha e bëri “me kokën e saj”. Muhamet Muça tha se plehrat janë të lagjes dhe jo të shkollës. E pyesim se përse e hoqi, na thotë se atje ka qenë, prej shumë vitesh. Ndërkohë, pohon se janë shumë familje në zonë dhe se vendi është përcaktuar nga Këshilli Bashkiak i Durrësit. Kur i themi se janë mbi 200 nxënës, na thotë se edhe ata janë 24 orë atje.

Fiksi u interesua edhe në Bashkinë e Durrësit, teksa përgjegjësi i pastrimit për Njësinë Administrative, Nazmi Mixha, thotë se kazani ka qenë prej shumë vitesh në derë të shkollës. Sipas tij, vendi është përcaktuar nga një vendim i Këshillit Bashkiak. Por, përgjegjësi nuk kishte asnjë informacion për numrin e vendimit as për përmbajtjen! Ai thotë se vendimi është marrë shumë vite më parë dhe se kështu janë në të gjitha shkollat. Ndërkohë, konfirmoi se plehrat që hidhen në derë të shkollës janë të komunitetit, pasi shkolla ka koshin e saj brenda ambienteve.

FOTO GALERI
3/7

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA