Një grua 30-vjeçare nga Filipinet ka rrahur për vdekje të birin 3-vjeçar të një ushtaraku amerikan në Korenë e Jugut, i cili i kishte kërkuar të kujdesej për disa ditë për dy djemtë e tij.
Djali tjetër shtatë-vjeçar i ushtarakut, ishte i palënduar.
Ngjarja e rëndë ndodhi pasditen e së dielës, në dhomën që ishte dhënë për fëmijët nga bari ku gruaja punonte në qytetin Pyeongtaek. Qyteti në jug të kryeqytetit Seul ka një kontigjent të madh trupash amerikane.
Autoritetet u njoftuan për incidentin nga pronari i barit, i cili kishte gjetur trupin e 3-vjeçarit rreth orës 20.00.
Një kërkim nisi për gruan e akuzuar, por u ndalua pas njoftimeve se ajo ishte marrë në polici pasi po bridhte nëpër rrugë e zhveshur.
“Ajo ishte parë në rrugë krejt e zhveshur,” tha një zyrtar i policisë së Pyeongtaek.
“Kur u mor në pyetje ajo fliste pa dhënë shumë kuptim, ne besojmë se vuan nga sëmundje mendore apo nga çrregullime të lidhura me përdorimin e substancave.
Ajo tha në polici se “po largonte shpirtrat e ligë,” sipas rrjetit vendas Korea JoongAng Daily. “Fëmija kishte shpirtra të ligë në trupin e tij, e godita dhe e çova në parajsë,” raportohet se ka thënë ajo.
Testet fillestare të drogave ndaj gruas së divorcuar, ishin negative.
Në Korenë e Jugut ka rreth 28,000 trupa amerikane të stacionuar, mes të cilëve 19,500 ushtarë, 7,800 forca ajrore, 350 detarë dhe 120 marinsa, sipas të dhënave të USFK.
Top Channel