“Ju paralajmërova, vendet tuaja po shkatërrohen”/ Trump fajëson emigracionin për protestat në Europë: Mbani nën kontroll kufijtë

19/10/2026 22:10

Donald Trump ka komentuar valën e protestave dhe trazirave në disa vende të Europës, duke ia atribuar tensionet politikave të emigracionit.

Në një përgjigje për Tgcom24, presidenti amerikan deklaroi se zhvillimet e fundit konfirmojnë paralajmërimet që, sipas tij, u kishte bërë më herët drejtuesve europianë.

“Është një çështje emigracioni”, u shpreh Trump, duke iu referuar protestave që kanë përfshirë vende të ndryshme të kontinentit, mes tyre Francën, Italinë dhe Belgjikën.

Sipas presidentit amerikan, ai u kishte paralajmëruar disa prej liderëve europianë se politikat e tyre do të sillnin probleme të mëdha.

“U thashë shumë prej tyre se kjo do të shkaktonte probleme të mëdha. Dhe kisha të drejtë”, deklaroi Trump.

Gjatë përgjigjes së tij, kreu i Shtëpisë së Bardhë u përqendrua veçanërisht te Franca, duke e cilësuar situatën atje si shumë të rëndë.

Trump kritikoi emigracionin dhe pretendoi se një pjesë e të ardhurve nuk respektojnë vendin pritës, kulturën dhe traditat e tij.

“Atyre nuk u pëlqen arti i tij. Nuk u pëlqejnë ndërtesat e tij. Ata po e pushtojnë vendin”, u shpreh presidenti amerikan, duke përdorur një gjuhë të ashpër për të përshkruar situatën.

Deklaratat e tij vijnë në një kohë kur disa qytete franceze janë përballur me episode dhune, grabitje dhe përplasje mes protestuesve dhe policisë, ndërsa autoritetet po shqyrtojnë masa shtesë për rikthimin e rendit.

Trump pretendoi gjithashtu se çështjen e emigracionit e kishte diskutuar me presidentin francez Emmanuel Macron, si dhe gjatë një bisede me presidentin rus Vladimir Putin, në kuadër të diskutimeve për Rusinë.

Në vijim, ai përsëriti thirrjen e tij ndaj drejtuesve europianë për të forcuar kontrollin kufitar.

“Më mirë t’i mbani kufijtë tuaj nën kontroll, sepse vendet tuaja po shkatërrohen”, deklaroi Trump.

Në fund të përgjigjes, presidenti amerikan kritikoi edhe mënyrën se si mediat trajtojnë qëndrimet e tij, duke pretenduar se disa liderë europianë ndajnë të njëjtat shqetësime, edhe nëse nuk i shprehin publikisht.

Top Channel