Studentja që iku nga Kabuli/ Vajza nga komuniteti Hazara u largua me ndihmën e gazetares Yalda Hakim

06/09/2021 15:29

Për vajzat dhe gratë e strehuara në Shqipëri nga fondacioni Yalda Hakim, çdo ditë që kalon ia shton shqetësimin se çdo të ndodhë me arsimimin.

Në Shëngjin gazetari i Top Channel Muhamed Veliu intervistoi, Tahera Ali një prej vajzave të minoritetit Hazara, të cilës ëndrra për tu bërë mjeke iu ndërpre.

Unë isha studente për mjekësi në universitetin e Kabulit. Ndodhem këtu në Shqipëri falë ndihmës që më dha fondacioni Yalda Hakim. Ata punuan shumë që ne të jemi të sigurt dhe të vimë këtu, ku kemi gjithçka për të jetuar. Jemi të gëzuar e për këtë u jemi shumë falenderues qeverisë shqiptare dhe Fondacionit Yalda Hakim për ndihmën plot dashuri ndaj nesh. Pa harruar qytetarët shqiptarë të cilët tregohen shumë miqësor ndaj nesh. Fatkeqësisht siç e din e gjithë bota mbase qeveria e re talebane nuk do të lejojë vajzat të vijojnë studimet. Ky është shqetësimi për ne që lamë Afganistanin dhe ata që janë aty. Me atë që bëri fondacioni Yalda Hakim duke na nxjerrë nga Afganistani, kemi shpresë të vijojmë studimet e të realizojmë qëllimet tona përmes edukimit. Jam shumë e shqetësuar për fatin e mëtejshëm të arsimimit tim për tu bërë mjeke. Shpresoj shumë të vazhdoj studimet”. deklaroi Tahera Ali.

Tahera nuk është e vetmja që ka shqetësim edukimin. Të tjerë qytetarë afganë që takuam në Shëngjin të cilët e kanë mbyllur kapitullin e edukimit, kanë nisur të mendojnë e të shikojnë çfarë mundësish punësimi për ta eksitojnë në vendin tonë, pasi janë të vetëdijshëm, për kohëzgjatjen e procedurave të marrjes së vizës amerikane. Studentja e mjekësisë Tahera Ali tregon për Top Channel persekutimin e vazhdueshëm të minoritet Hazara.

Ne pjesëtarët e komunitetit Hazara gjatë kohës së qeverive të ndryshme jemi përballur me shumë probleme. Quke qenë se ne i përkasim sektit SHIA të Fesë Islame, qeveritë nuk kanë dhënë mundësi të barabarta me të tjerët për tu arsimuar e më pas punësuar. Tashmë janë talebanët ata që po shkaktojnë probleme tek ky komunitet dhe kjo më frikëson e të mendoj se një ditë do të rikthehem atje. Në provinca të ndryshme të Afganistanit si ajo Raznik ku jetojnë minoriteti Hazara ka nisur prej talebanëve ekzekutimi i tyre. Kjo e bën të pasigurt, kthimin tim pasi mund të më vrasin mua dhe familjen që i kam në Afganistan. Familja është shqetësim madhor. Jetojnë me frikën e trokitjes në derë nga Talibanët”, tha Tahera Ali për Top Channel.

Top Channel