Hyjnë në fuqi rregullat e reja anti Covid! Kushtet që duhet të plotësoni për të ardhur në Shqipëri

06/09/2021 08:30

Sot hyjnë në fuqi rregullat e reja, të përcaktuara nga Komiteti Teknik i Ekspertëve.

Qytetarët që duan të hyjnë në vendin tonë, nga të gjitha pikat kufitare duhet të plotësojnë një nga këto tre kushte:

Të kenë pasaportën e vaksinimit, ku nga data e vaksinimit të plotë të kenë të paktën dy javë.

Të kenë Testin PCR negativ brenda 72 orëve ose testin e shpejtë të antigenit brenda 48 orëve.

Të kenë provë të kalimit të infeksionit Sars-Cov2, të vlefshme deri në 6 muaj pas shërimit.

Këto rregulla janë të vlefshme edhe për ata qytetarë të cilët kalojnë tranzit në Shqipëri.
Fëmijët deri në 6 vjeç nuk i nënshtrohen këtyre rregullave

Qytetarët shqiptarë rezidentë në Shqipëri, të cilët kthehen dhe nuk kanë një nga dokumentat e sipërcituara, duhet të vetëizolohen për 10 ditë dhe të informojnë autoritetin shëndetësor për të kryer një test në fund të periudhës së izolimit.

Në ndërtesën e aeroporteve do të lejohen të hyjnë vetëm pasagjerët që udhëtojnë, duke shmangur shoqërimin nga familjarë të tyre. Këta pasagjerë duhet të zbatojnë me rigorozitet mbajtjen e maskës, ashtu siç është rekomanduar dhe siç po reflektohet ky ndryshim edhe në protokollin e funksionimit normal të aeroporteve.

Komiteti i Ekspertëve mori vendimit për të ashpërsuar masat anti Covid, teksa bota po përballet me një tjetër valë të koronavirusit. Shqipëria dhe vendet fqinje kanë shënuar rritje të menjëhershme të rasteve të reja si dhe fataliteteve.

Top Channel