Talebanët pretendojnë se Panjshiri ka rënë në duart e tyre, por rezistenca mohon.
Kreu i saj, Ahmad Massoud, u kthye me një mesazh në Facebook ku mohonte lajmin e rënies së luginës rebele, duke shkruar: “ Nuk do të heqim dorë kurrë nga lufta për liri dhe për drejtësi”.
Më herët, u tha se talebanët do të dërgonin kamikazë kundër Luanëve të Panjshirit, në përpjekjet e tyre të dëshpëruara për të marrë kontrollin e rajonit të fundit që po i reziston grupit islamik. Luftëtarët e mbledhur në luginë thanë se po përballen me sulme të ashpra.
Përpjekjet për të arritur paqen mes dy palëve kanë dështuar, e tani talebanët po kërkojnë me çdo kusht të marrin provincën rebele. Sipas analistit afgan me qendër në Australi, Nishank Motëani, talebanët kanë një avantazh të fortë. Ata kanë marrë krahë nga fitoret e fundit, janë të mirearmatosur dhe kanë në anën e tyre faktorin psikologjik, pasi e rrëzuan aq shpejt qeverinë afgane.
Militantët kanë sekuestruar një arsenal gjigant armësh e pajisjesh ushtarake që Shtetet e Bashkuara kishin siguruar për ushtrinë afgane, të mposhtur me turp. Ndërkohë kanë edhe mbështetjen e të burgosurve, që i kanë lënë të lirë. Nga ana tjetër, ato kanë edhe të ashtëquajturat “trupa shoku”, që përfshijnë taktitat vetëvrasëse.
Ndërkohë, edhe luftëtarët e Frontit Kombëtar të Rezistencës, NRF, të përbërë nga paraushtarakë anti talebane dhe ish forca afgane të sigurisë, mësohet të kenë grumbulluar një luginë një sasi të konsiderueshme armësh. Luftime të ashpra janë zhvilluar në luginë dhe të dyja palët pretendojnë se i kanë shkaktuar humbjë të mëdha krahut tjetër, por mundësia për t`i verifikuar në mënyrë të pavarur të tilla pretendime është e vogël.
Top Channel