Romelu Lukaku ishte goditja e madhe e Chelsea-t në këtë merkato vere me Blutë e Londrës që paguan plot 115 milionë euro për të rikthyer në Stamford Bridge sulmuesin belg i cili në një intervistë nga grumbullimi me Belgjikën ka treguar të tjera prapaskena lidhur me largimin e tij nga Interi.
“Kur Chelsea ofroi 110 milionë euro plus kartonin e Zappacostas, ishte oferta e tyre e tretë, kuptova që gjërat ishin bërë serioze dhe me mendje nuk isha më në Milano. Interi e kishte refuzuar edhe këtë ofertë dhe unë u detyrova të shkoja të flisja me Simone Inzaghin në zyrën e tij në mënyrë që palët të gjenin një akord. Edhe pse me trup isha ende në Appiano Gentile me mendje isha që atëherë te Chelsea”, theksoi fillimisht Lukaku duke lënë të kuptohet se drejtuesit e Interit nuk kanë dashur ta shesin 28-vjeçarin por ka qenë dëshira e bomberit ajo që ka vendosur për transferimin e tij në Premier League.
Romelu Lukaku gjatë dy viteve që u aktivizua te Interi fitoi simpatinë e të gjithëve duke u shndërruar edhe në të përkëdhelurin e tifozëve dhe për këtë arsye edhe në këtë intervistë të radhës belgu falenderoi sërish Interin që i hapi dyert në një moment të vështirë të karrierës së tij. “Interi më nxori nga telashet në një moment jo të mirë për mua dhe për këtë do t’u jem gjithmonë mirënjohës, Interin mund ta lija vetëm për Chelsea-n”, theksoi në fund bomberi belg.
Top Channel