Ditën e sotme në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare të PS-së, kryeministri Edi Rama bëri të ditur edhe emrat me të cilët do të qeverisë në këtë 4 vjeçar, të tretë.
Ai bëri të ditur se këtij 4-vjeçari do të ketë edhe tre ministra shteti. Bëhet fjalë për Ministrinë për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, që do të drejtohet nga Edona Bilali, Ministria për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi dhe Ministrja për Standardet dhe Shërbimet, Milva Ikonomi.
Në dy prej ministrive Rama ka vendosur të emërojë prurjet e reja në Parti, Edona Bilali, në Ministrinë për Mbrojtjen e Sipërmarrjes dhe Bora Muzhaqi, në Ministrinë për Rininë dhe Fëmijët, kurse është rikthyer në karrigen e ministrit edhe Milva Ikonomi, e fundit kjo që disa vite më parë ka qenë edhe ministre e Financave, ndërsa sot iu besua Ministria për Standardet dhe Shërbimet.
Milva Ikonomi
Milva Ekonomi ka lindur në Tiranë në vitin 1962 dhe është nënë e dy vajzave.
Ka kryer studimet e larta në Statistikë dhe Ekonomi nga Universiteti i Bujqësisë, dhe një Master në Administrim Biznesi ( MBA ) nga Universiteti i Tiranës. Ka kryer gjithashtu edhe formime të avancuara në fushën e statistikave ekonomike dhe sociale si dhe të manaxhimit në Byrone e Statistikave të Punës (SHBA), Eurostat (Luxemburg), Istat (Itali).
Ka shërbyer si Drejtor i Përgjithshëm i Institutit të Statistikave të Shqipërisë gjatë periudhës 1994-2005 duke kryer një sërë detyrash që lidheshin me ngritjen dhe institucionalizimin e statistikave zyrtare në vend.
Ka kryesuar Komisionin Kombëtar të Nomenklaturave dhe ka qenë për dy mandate anëtare e Byrosë së Konferencës së Staticienëve Evropianë KEE/OKB. Në vitin 2006 ajo zgjidhet anëtare e panelit të ekspertëve të projektit “PARIS 21” (OECD), ku punon mbi lidhjen e statistikave zyrtare me të drejtat e njeriut. Punon në këtë projekt deri në fund të dhjetorit 2007.
Më pas ajo u përfshi si ekspert kyç në Agjencinë Evropiane për Rindërtim (EAR) në Kosovë, në projektin mbi Mbështetjen në Sistemin Statistikor dhe Përgatitjen e Rregjistrimit të Popullsisë në Kosovë 2007 – 2008.
Dha kontributin e saj si Këshilltar Afatgjatë i Statistikave Suedeze (Sida) në Agjencinë e Statistikave të Kosovës, ku punoi gjatë viteve 2008 – 2013, në hartimin e legjislacionit statistikor dhe ndërtimin e Programit Zyrtar të Statistikave Kombëtare. Ajo gjithashtu ka punuar në projekte të ndryshme me Agjencitë e OKB-së dhe organizatave të tjera ndërkombëtare si Eurostat, ILO, UNODC, ëorld Bank, Dfid, dhe FMN.
Ajo është anëtare e Institutit Ndërkombëtar të Statistikave (ISI) dhe Shoqatës Staticienëve të Ballkanit.
Ajo është një nga themeluesit e Institutit Agenda, një qendër kërkimesh ekononomike dhe sociale e themeluar në qershor të vitit 2006 në Tiranë.
Përgjate viteve ajo ka dhënë kontributin e saj në lëvizjen e gruas në Shqipëri duke qënë aktiviste në shumë nisma, por gjithashtu edhe në aksione të shoqërise civile. Ajo ka shërbyer edhe si anëtare e Këshillit Bashiak të Tiranës për periudhën 2000-2011.
Ka qenë lektore në Universitetin e Tiranës, Universitetit Bujqësor si dhe në Universitetin “Zonja e Këshillit të Mirë”.
Ajo ka shkruar disa botime ne nivel kombëtar dhe ndërkombëtare në fushën e statistikave, zhvillimit social dhe ekonomik, si dhe të përkatësisë gjinore. Zotëron shumë mirë gjuhën Angleze dhe Italiane si dhe njeh gjuhën Franceze.
Top Channel