Festa e liqenit në Shkodër/ Atmosferë e veçantë, shumë turistë të huaj marrin pjesë në këtë aktivitet

12/07/2026 12:39

Brigjet e Liqenit të Shkodrës u kthyen në një hapësirë feste dhe promovimi turistik, ku vizitorë vendas e të huaj shijuan aktivitete te ndryshme në kuadër të Festës së Liqenit.

Shëtitjet me kanoe, biçikletat në ujë, aktivitetet sportive, eksplorimi i natyrës dhe gatimet tradicionale të zonës së Shirokës dhe Zogajt krijuan një atmosferë të veçantë, duke sjellë në vëmendje potencialin turistik të kësaj zone.

Një turiste nga SHBA thotë: Jam nga Shtetet e Bashkuara. Kam rreth një muaj që jam këtu dhe do të qëndroj edhe disa javë të tjera. Kisha dëgjuar në internet për veriun e Shqipërisë dhe sa i bukur është. Ka male kudo, ndaj pse të mos e përjetosh një vend të tillë? Deri tani ka qenë një eksperiencë shumë e bukur.

Një turist tjetër shprehet: Jam nga Zvicra. Është hera ime e parë në Shqipëri. Më pëlqen shumë. Liqeni ka një natyrë të mrekullueshme, me florë dhe faunë të pasur, ndërsa qyteti është gjithashtu shumë i bukur. Nuk e prisja që natyra të ishte kaq e veçantë dhe që të kishte kaq shumë male ku mund të bësh ecje. Është vërtet fantastike.

Turisti nga Gjermania thotë: Po, është hera ime e parë këtu. Është një vend i mrekullueshëm, plot natyrë, vërtet shumë i bukur. Edhe qyteti është i mrekullueshëm. Njerëzit kanë qenë shumë të sjellshëm. Vetë qyteti është mahnitës, me liqenin dhe malet që e rrethojnë. Është një bukuri e rrallë.

Festa e Liqenit të Shkodrës konfirmoi edhe një herë potencialin e kësaj zone si një prej destinacioneve më tërheqëse turistike të verës, duke promovuar natyrën, traditat, gastronominë dhe mikpritjen që e karakterizojnë Shkodrën.

Top Channel