Policia e Shkodrës ka vënë në pranga një 35-vjeçar, i cili akuzohet për veprat penale “Falsifikimi i monedhave” dhe “Mbajtja pa leje e lëndëve plasëse”.
Si rezultat i operacionit të koduar “Seria” u arrestua Kujtim Cumraku, banues në fshatin Rrilë, Lezhë.
“Në vijim të punës për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e falsifikimit të kartëmonedhave, si rezultat i një hetimi disamujor, u organizua dhe u finalizua me sukses operacioni policor i koduar “Seria”. Si rezultat i këtij operacioni u arrestua në flagrancë shtetasi: Mark Cumraku, 35 vjeç, banues në fshatin Rrilë, Lezhë”, njofton policia.
Po ashtu gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin tip “Benz”, me të cilin po qarkullonte ky shtetas, u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 2.600 euro dhe 71.000 lekë të rinj të dyshuar të falsifikuar, si dhe një sasi lekësh të pafalsifikuar.
Gjithashtu, nga kontrolli i ushtruar në dyqanin që ky shtetas kishte marrë me qira, u gjet dhe u sekuestrua një sasi lënde plasëse tritol.
Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Shkodër, për veprat penale “Falsifikimi i monedhave” dhe “Mbajtja pa leje e lëndëve plasëse”.
Top Channel