Për tre ditë rresht në Tiranë, admirues të muzikës por edhe kalimtarë të thjeshtë patën mundësinë të shijonin disa koncerte të hapura, diçka jo e zakontë kjo në rrugët e kryeqytetit.
Pandemia e bllokoi jetën artistike për një kohë të gjatë në Shqipëri, megjithatë ajo ka nisur të marrë frymë sërish. Nisma e fundit synoi të kapërcente vështirësitë e kufizimeve që diktoi koronavirusi edhe në raportet me artin, dhe u përpoq ta sillte atë më pranë tyre.
Iniciativa e fagotistit Orges Malaj (pedagog në Universitetin e Arteve), bëri bashkë kolege te tjere te Fak te Muz si flautistin Elvis Rudi, Kornistin Ilir Kodhima, oboistin Erik Tauzisi dhe klarinetistin Erenik Behlulaj, për tre koncerte të zhvilluara në ambjente të hapura, të cilat tërhoqën mes te tjerash edhe kureshtjen e turistëve të huaj.
Kjo iniciativë e mbështetur nga Bashkia e Tiranës është në vazhdën e projekteve të zhvilluara nga universiteti për përçuarjen sa më afër publikut të vlerave të artit. Koncertet u zhvilluan tek Liqeni Artificial i Tiranës, tek Reja dhe Piazza Italia. Kuinteti frymor solli me mjeshteri vepra nga Strauss, Bizet, Penella, Piovani e Schrammel, si dhe tema shqiptare të orkestruara nga Isak Shehu dhe Gjon Simoni. Muzikantët thonë se koncertet do të vazhdojnë edhe në qytete të tjera të Shqipërisë, si dhe në Kosovë.
Top Channel