Kreu i Dhomës Kombëtare të Avokatisë, Maks Haxhia, ka reaguar sot, më 23 shtator, lidhur me gjobat e vendosura nga Gjykata e Posaçme ndaj avokatëve që kanë bojkotuar seancat gjyqësore në shenjë kundërshtimi ndaj rregullores së re për ndalimin e përdorimit të celularëve në sallat e gjyqit.
Haxhia tha se Dhoma e Avokatisë i ka drejtuar kërkesë edhe Këshillit të Lartë Gjyqësor, por nuk ka marrë përgjigje, ndërsa bëri të ditur se gjobat do të ankimohen dhe se, në rast se ato do të mbeten në fuqi, do të mbulohen nga Dhoma e Avokatisë.
Haxhia deklaroi gjithashtu se në mbështetje të qëndrimit të avokatëve është shprehur edhe OSBE-ja, ndërsa kritikoi mungesën e një reagimi nga Gjykata e Posaçme.
“I jemi drejtuar edhe KLGJ-së për këtë problem dhe nuk ka pasur asnjë përgjigje. Ne duam që drejtësia të ecë përpara, që të zgjidhen problemet e individëve në Republikën e Shqipërisë.
OSBE na ka dalë në mbrojtje. Edhe ndaj këtij reagimi, sërish nuk ka pasur një përgjigje nga ana e Gjykatës së Posaçme Antikorrupsion.
Gjobat ne do i ankimojmë. Kemi vënë në dijeni të gjitha institucionet e drejtësisë për gjobat që na kanë vendosur. Nuk mund të prevalojë një rregullore, që nuk është për ne.
Është një rregullore, që nuk përshtatet me ligjin. Edhe në rast se gjobat qëndrojnë, do i mbulojë Dhoma e Avokatisë. Ne do e ndjekim situatën deri në fund nga ana ligjore“, tha Maks Haxhia, kreu i Dhomës së Avokatisë.
Top Channel