Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë përfunduar tërheqjen e forcave të tyre nga Afganistani. Lajmi është konfirmuar nga Pentagoni. Fluturimi i fundit me ushtarët amerikanë nga aeroporti i Kabulit të hënën në mbrëmje shënoi fundin e luftës më të gjatë të Amerikës pas plot 20 vjetësh
Evakuimi përfundimtar i forcave të SHBA-së, atyre të vendeve aleate dhe civilëve afganë ka qenë kaotik. Javën e kaluar ndodhi një sulm vetëvrasës nga militantët e Shtetit Islamik Khorasan jashtë aeroportit të Kabulit që la të vrarë rreth 170 afganë dhe 13 trupa amerikane. Disa raketa u hodhën drejt aeroportit të Kabulit mëngjesin e së hënës.
Një zyrtar amerikan i tha agjencisë së lajmeve Reuters se pesë raketa u lëshuan në aeroport, porse u penguan nga sistemi i mbrojtjes raketore. Grupi militant Shteti Islamik tha se merr përgjegjësinë për hedhjen e gjashtë raketave.
Rreth 6,000 amerikanë janë evakuuar nga Afganistani që nga 14 gushti. Ndërsa, mbi 120,000 njerëz deri tani janë evakuuar nga forcat e koalicionit që kur talebanët morën kontrollin e Kabulit më 15 gusht.
Top Channel