Pesë persona kanë humbur jetën si pasojë e një aksidenti të ndodhur në rrugën nacionale Gjirokastër-Sarandë, në vendin e quajtur Muzinë.
Këto janë pamjet e rënda të mjetit me pasagjerë me drejtues të identifikuar si Bardhi Porda, i cili është përplasur me një automjet tip ‘Land Rover’ dhe për pasojë ka dalë nga rruga në qafën e Muzinës duke përfunduar në greminë, nga rreth 20 metra lartësi.
Siç shihet nga pamjet, furgoni është shkatërruar krejtësisht, ndërkohë që viktimat ende nuk janë identifikuar. Forcat zjarrfikëse po punojnë që të nxjerrin viktimat nga makina, pasi furgoni është shtypur dhe është shumë e vështirë ndërhyrja.
“Njoftohemi se rreth orës 15:30, në rrugën nacionale Gjirokastër-Sarandë, në vendin e quajtur Muzinë, mjeti tip “Land Rover” me drejtuese shtetasen R. Ç. është përplasur me mjetin tip furgon me drejtues shtetasin B. P.
Si pasojë e përplasjes mjeti tip furgon ka dal nga rruga dhe ka përfunduar disa metra poshtë rrugës.
Për pasojë kanë humbur jetën 5 shtetas, të cilët ndodheshin në mjetin tip furgon”, thuhet në njoftimin e policisë.
Në vendngjarje ndodhet grupi hetimor dhe po punon për zbardhjen e shkaqeve të aksidentit.
Top Channel