Kur ka mbetur edhe pak ditë nga mbyllja zyrtarisht e merkatos, ka marrë fund një tjetër “telenovelë verore”. Kështu sulmuesi anglez Harry Kane ka hequr dorë përfundimisht nga dëshira për t’u transferuar te Manchester City dhe do të vijojë të mbajë veshur fanellën e Tottenhamit.

Lajmin e bëri të ditur vetë sulmuesi në rrjetet sociale, ku shkroi se do të qëndrojë te “Spurs”-at edhe këtë sezon dhe se është maksimalisht i përqendruar të ndihmojë skuadrën në arritjen e objektivave sezonalë.

“Ka qenë diçka e pabesueshme të shihja pritjen që më rezervuan tifozët e Spurs-ave të dielën dhe mesazhet e shumta mbështetëse që kam marrë gjatë këtyre javëve. Do të qëndroj te Tottenhami dhe do të jem 100% i fokusuar për të ndihmuar ekipin në arritjen e sukseseve”, shkroi Kane.

Sulmuesi dhe kapiteni i përfaqësueses angleze ishte përgatitur për t’u larguar nga Londra këtë verë dhe në fund të sezonit të kaluar u përshëndet edhe me tifozët e Tottenhamit në stadium, megjithatë ëndrra e tij nuk u bë realitet.

Manchester City provoi deri në fund për ta transferuar në “Etihad Stadium”, por ndonëse u tregua e gatshme të paguajë deri në 145 milionë euro për kartonin e tij, hasi në rezistencën e drejtuesve të Tottenham, të cilët vendosën të mbajnë edhe për një sezon kapitenin.

Harry Kane ka nisur prej javësh përgatitjet nën urdhrat e trajnerit Nuno Espirito Santo dhe fundjavën e kaluar zbriti në fushë për disa minuta në transfertën ndaj Wolverhampton, të cilin Tottenhami e fitoi me rezultatin minimal 0-1.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA