Adrian Shtuni: Refugjatët afganë, dhuna ndaj grave, dhe ne

24/08/2021 18:45

Nga Adrian Shtuni, ekspert për çështjet e terrorizmit dhe sigurisë.

Pas njoftimit se vendet e Ballkanit vendosën të strehojnë refugjatë afganë, në diskursin publik u shfaq aty këtu pretendimi se ata sjellin rreziqe të shumta, e ndër të tjera mund të kryejnë përdhunime e ushtrojnë dhunë ndaj grave në vendet mikpritëse për shkak se paskan “mentalitetit dhe edukatë ndryshe” nga ne.

Së pari absolutisht ZERO tolerancë si për përdhunuesit ashtu dhe ata që vrasin vajzat e gratë për arsye “nderi,” i trafikojnë e i shesin ato si gjë e gjallë apo i shfrytëzojnë si skllave seksuale. Kush është përgjegjës për këto barbarizma duhet të përballet me forcën maksimale të ligjit, pavarësisht nga nënshtetësia.

Por ne e dimë fort mire se këto barbarizma ndaj grave ne në Ballkan nuk i kemi zbuluar për herë të parë duke lexuar lajmet nga Afganistani apo reportazhe mbi sjelljen e refugjatëve afganë me “mentalitetin dhe edukatën ndryshe.” Si janë ndryshe? Ndryshe nga kush? A jemi të sigurtë se afganët kanë mentalitet dhe edukatë shoqërore kaq shume “ndryshe” nga Ballkanasit kur vjen puna te dhuna ndaj grave?

Nëse duam të jemi të sinqertë, e vërteta është se me llojet e krimeve shtazarake ndaj grave e vajzave që unë i rreshtova me lart të gjithë jemi përballur prej dekadash nëpër qytetet e lagjet ku jemi rritur. Ende vijojmë të përballemi rëndomë me to ndërsa lexojmë kronikën e zezë vendore ku protagonist, fatkeqësisht shpesh, janë bashkëqytetarët tanë autoktonë Ballkanas. Flas për krime që i kryejnë rëndomë qoftë si “zot shtëpie” nëpër Ballkan, qoftë si “mysafir” nëpër Evropë, etj. Ja se çfarë lexon sot: “Detajet tronditëse nga vrasja e 18-vjeçares! Gjykata kosovare: Autori dyshonte se e reja e tradhtonte me djalin e dajës, e dhunoi derisa ndërroi jetë.” E pra, të arrestuarit nuk janë afganë!

Ballkani ka të mirat dhe të këqiat e veta. Por gjithkujt që ka një fije objektiviteti, edhe në rast se jeton në kullën e fildishit, do t’i mjaftonte të lexojë anketat e OSBE-se mbi dhunën endemike ndaj grave e vajzave në Ballkan që të kthjellohet e kuptojë se sëmundjen e dhunës gjinore (sepse sëmundje është!) nuk ka rrezik që ta sjellin afganët; ata do ta gjejnë këmbëkryq midis nesh.

Do të ishte më mirë që energjinë e kohën ta shpenzojmë për denoncimin dhe kurimin e të keqes që na ka kapluar nga brenda, dhe që dikush e mohon nga sedra, patriarkalizmi, a pseudopatriotizmi, dhe jo duke përgojuar e demonizuar “barbaret tek porta” që do të na bëjnë gjëmën me llahtari të padëgjuara. Ky është apel kritik, sepse kemi një tepri paragjykimesh për të tjerët dhe një defiçit të thellë sinqeriteti ndaj vetes kur vjen puna te dhuna gjinore.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA