A do të krijojë Afganistani një tjetër krizë emigrantësh për Evropën?

24/08/2021 08:50

Gjashtë vjet më parë, më shumë se 1.2 milion emigrantë nga shumë pjesë të botës ikën drejt Evropës, duke udhëtuar qindra apo mijëra kilometra për të kërkuar një jetë të re në një krizë që ka lënë plagë të thella politike.

A do të përjetojë kontinenti një krizë tjetër refugjatësh, ndërsa miliona afganë përpiqen të shpëtojnë nga talebanët?

Disa udhëheqës evropianë kanë shprehur një frikë të tillë ditët e fundit. Në një fjalim televiziv më 16 gusht, Presidenti francez Emmanuel Macron tha “se të kujdesesh për ata që ikin nga talebanët do të ketë nevojë për një përpjekje të organizuar dhe të drejtë ndërkombëtare”.

“Evropa e vetme nuk mund të marrë përsipër pasojat e situatës aktuale”, shtoi ai.

Në Gjermani, sekretari i përgjithshëm i demokratëve kristianë në pushtet i tha kanalit n-tv se, “për ne, është e qartë se viti 2015 nuk duhet të përsëritet… Nuk do të jemi në gjendje ta zgjidhim çështjen e Afganistanit përmes emigrimit për në Gjermani”.

Në vitin 2015, shumica e atyre që hynë në Evropë po i largoheshin luftës në Siri. Pasi kalonin në Turqi, ata ishin në gjendje të hynin në Greqi, një vend anëtar i Bashkimit Evropian, ose duke kaluar me anije në ishujt grekë ose duke u përpjekur të shkelnin kufirin tokësor mbi lumin Evros që ndan dy vendet. Rrugëtimi më pas i çonte ata përmes Ballkanit dhe më tej në Evropën Perëndimore.

Emigrantët afganë që përpiqen të bëjnë një udhëtim të ngjashëm përballen me shumë pengesa të tjera. Turqia po ndërton një rrethim përgjatë kufirit të saj me Iranin, rruga kryesore për emigrantët afganë që shkojnë në Evropë.

Në mënyrë të ngjashme, Greqia ka përfunduar gjithashtu ndërtimin e një rrethimi kufitar përgjatë kufirit tokësor me Turqinë. Shumë emigrantë që përpiqen të arrijnë në ishujt grekë nga Turqia me anije, kanë mbetur të bllokuar në kampe të mbipopulluar refugjatësh.

Marrëveshja e emigrantëve e vitit 2016 e arritur mes Bashkimit Evropian dhe Turqisë gjithashtu e ka bërë shumë më të vështirë për emigrantët ta bëjnë këtë udhëtim.

Duke vizituar rrethimin kufitar të shtunën, Ministri grek i Mbrojtjes së Qytetarëve Michalis Chrisochoidis doli në mbrojtje të masave të qeverisë.

“Kriza afgane po krijon fakte të reja në sferën gjeopolitike, dhe në të njëjtën kohë, po krijon mundësi për flukset e emigrantëve. Dihet që ne si vend evropian marrim pjesë në institucionet e Bashkimit Evropian, dhe brenda këtij kuadri merren një sërë vendimesh. Por ne nuk mund të presim në mënyrë pasive për efektet e mundshme”, u tha zoti Chrisochoidis gazetarëve.

Helena Hahn, një analiste e emigrimit në Qendrën e Politikave Evropiane me seli në Bruksel, tha se shumë afganë do ta kenë të vështirë edhe të largohen nga vendi.

“Masat e ndalimit, si dhe masat e frenimit nga vendet fqinje dhe potencialisht edhe nga vetë talebanët ndërsa vazhdojnë të zbulojnë axhendën e tyre të vërtetë, në të vërtetë do t’i ndalojnë njerëzit të largohen nga vendi. Irani, për shembull, ka mbyllur vazhdimisht pikat kufitare dhe ka sugjeruar që kampet e refugjatëve të ngrihen brenda vendit, por nuk i lejon njerëzit të kalojnë kufijtë. Turqia ka ndërtuar një mur në kufirin e saj me Iranin dhe gjithashtu ka rritur kapacitetin e të ashtuquajturave qendrave të saj të riatdhesimit”, tha zonja Hahn për Zërin e Amerikës.

Pavarësisht masave, qindra afganë kanë arritur të mbërrijnë në Turqi javët e fundit. Murtaza Faqiri, një emigrant 19-vjeçar afgan që po mbahej në një qendër të ndalimit të emigrantëve në qytetin lindor të Vanit, i bëri thirrje Evropës për ndihmë.

“Dua t’i them, Evropës dhe vendeve të tjera, të na ndihmojnë. Ne jemi afganë. Ne nuk luftojmë. Ne duam të kemi një jetë të mirë”, i tha ai agjensisë së lajmeve Associated Press.

Turqia tha se ka ndaluar fluturimet e riatdhesimit për në Afganistan.

“Ne kurrë nuk kemi dërguar një emigrant drejt persekutimit ose vdekjes dhe nuk do t’i dërgojmë as në këtë proces”, u tha gazetarëve të dielën Ramazan Secilmis, zëvendës drejtor i Drejtorisë së Përgjithshme të Turqisë për Menaxhimin e Emigracionit. “Ne i drejtojmë njerëzit që kanë nevojë për mbrojtje në krahinat e tyre të regjistruara (në Turqi) duke marrë kërkesat e tyre për mbrojtje. Pastaj, brenda kuadrit të programit të zhvendosjes, ne sigurohemi që ata të zhvendosen në vende të tilla si Bashkimi Evropian, Amerika dhe Kanadaja”.

Megjithatë, është e paqartë se sa refugjatë do të pranojnë këto vende. Duke vizituar një qendër pritëse për refugjatët afganë të dielën pranë Madridit, Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen u bëri thirrje shteteve anëtare të bëjnë më shumë.

“U bëj thirrje të gjitha shteteve që kanë marrë pjesë në misionet në Afganistan, evropianëve dhe të tjerëve, të sigurojnë kuota të mjaftueshme për zhvendosje dhe rrugëtim të sigurtë, në mënyrë që kolektivisht të mund të strehojmë ata që kanë nevojë për mbrojtje”, u tha zonja von der Leyen gazetarëve.

Deri më tani, shumica e të evakuuarve kanë punuar së bashku me forcat perëndimore në Afganistan. Evropa mund të bëjë më shumë, thotë analistja Hahn.

“Shtetet anëtare të BE-së mund të rrisin vullnetarisht kuotat e premtuara për të zhvendosurit. Tradicionalisht në dy vitet e fundit, sirianët kanë qenë një fokus kryesor. Por mund të shohim që këto përparësi gjeografike ndryshojnë”.

Ndërkohë, Polonia ka thënë se do të ndërtojë gjithashtu një gardh përgjatë kufirit të saj me Bjellorusinë, e cila ka parë një fluks refugjatësh, ndër ta edhe afganë, javët e fundit.

Polonia pretendon se ata janë “emigrantë ekonomikë” dhe akuzon Bjellorusinë se po zhvillon “luftë hibride” duke i drejtuar ata drejt kufirit. Grupet e të drejtave të njeriut kanë akuzuar Poloninë për shkeljen e Konventës së Gjenevës nëpërmjet injorimit të aplikimeve të emigrantëve për azil./VOA/

Top Channel