Tre pushues mbyten në det/ Dy të moshuar nga Maqedonia e Veriut në Spille dhe një 59-vjeçar në Velipojë

22/08/2021 11:29

Kjo e dielë ka rezultuar tragjike për pushuesit pasi 2 të moshuar nga Maqedonia e Veriut janë mbytur në plazhin e Spillesë dhe një tjetër në plazhin e Velipojës.

Riste Damkovski 77 vjeç dhe Cvetko Mitanonovki, 79-vjeç humben jetën. Ata ishin dy shokë të ngushtë nga Bitola që kishin ardhur bashkë me një grup  prej 52 personash për të pushuar bregdetin shqiptar. Ata kalonin pushimet ne Spille prej 6 vitesh.

Dy viktimat së bashku me një tjetër mik të tyre kanë konsumuar drekën në një nga restorantet e zonës e më pas janë zhytur në det.

Por ata nuk kanë arritur të dalin të gjallë në breg, me gjithë përpjekjet e rojeve bregdetare dhe stafit mjekësor që kanë mbërritur në kohë në vendngjarje duke i dhënë ndihmën e shpejtë.

Të moshuarit qëndronin prej 4 ditësh në Spille dhe njëri prej tyre mësohet se vuante nga sëmundje të zemrës.

Grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, ndërsa paraprakisht bëhet e ditur se shkak i mbytjes janë bërë dallgët e forta.

Tragjike kjo e dielë gushti ka rezultuar edhe për një tjetër pushues 59-vjeçar i identifikuar si Hasan Hysenaj.

Ky i fundit është mbytur në plazhin e Velipojës rreth orës 11:15 të paradites.

Gjate kësaj vere janë shënuar disa humbje jete në det në plazhet në vend, ndërsa në një pjesë të mirë t tyre mungojnë edhe rojet bregdetare.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA