Presidenti Joe Biden paralajmëroi se operacioni për evakuimin e mijëra personave të mbledhur në aeroportin ndërkombëtar Hamid Karzai të Kabulit bart në vetvete risqe të mëdha, megjithatë u zotua se çdo amerikan që e dëshiron këtë, do të evakuohet nga Afganistani i sunduar tashmë prej talebanëve.
Deri tani, llogaritet të jenë kthyer në SHBA rreth 13 mijë shtetas amerikanë. I përballur me një rrebesh kritikash mbi mënyrën sesi u menaxhua tërheqja e trupave të Shteteve të Bashkuara, Biden tha se nuk premtonte dot cili do të jetë rezultati final në këtë vend ku Amerika i luftoi talebanët për 20 vjet.
“Ky është një nga operacionet më të vështira të evakuimit nga ajri në histori dhe i vetmi vend në botë që ka aftësinë për të shfaqur këtë lloj kapaciteti të fuqishëm në anën tjetër të botës me këtë nivel saktësie janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ne të bëjmë gjithçka, gjithçka që mundemi, për të mundësuar evakuim të sigurt për aleatët tanë afganë, partnerët dhe afganët të cilët mund të jenë në shënjestër për shkak të lidhjeve të tyre me Shtetet e Bashkuara”, tha Biden.
Në total, vendet e huaja kanë arritur të largojnë 18 mijë persona që kur militant morën Kabulin, por qeveritë perëndimore janë përballur me një valë pakënaqësie për faktin se nuk e parashikuan një eksod të tillë kaq kaotik.
“Ky mision është mjaft i vështirë, ka rreziqe për forcat tona të armatosura dhe po kryhet në rrethana ekstreme. Unë nuk premtoj dot se cili do të jetë rezultati i tij final, apo të them se ai do të jetë pa rrezik e pa humbje. Si komandant i përgjithshëm megjithatë mund t`ju siguroj se do të mobilizojmë çdo burim të mundshëm”, u shpreh Presidenti, që u përpoq edhe një herë të mbrohej nga kritikat se administrata e tij i bëri gabim llogaritë dhe se evakuimi i amerikanëve dhe afganëve aleatë të pranisë 20-vjeçare të Washingtonit atje, nisi shumë ngadalë.
Top Channel