Kompania ajrore australiane Qantas, ka njoftuar se do t’iu kërkojë të gjithë punëtorëve në vijën e parë të frontit, që të vaksinohen plotësisht kundër koronavirusit brenda tre muajve.
Grupi Qantas, që ka në pronësi kompanitë Qantas dhe Jetstar, ka thënë përmes një deklarate se ekipet në aeroplanë, pilotët dhe punëtorët në aeroporte, do të duhet të jenë të vaksinuar deri më 15 nëntor, derisa pjesa tjetër ka kohë deri më 31 mars 2022 për t’u imunizuar plotësisht.
Kompania ka thënë se do të bëjë përjashtime për personat që nuk mund të vaksinohen për arsye shëndetësore, mirëpo këto raste pritet të jenë të rralla.
“Një punëtor në aeroplan mund të niset në disa qytete dhe të jetë në kontakt me mijëra persona brenda ditës”, ka thënë udhëheqësi i Grupit Qantas, Alan Joyce.
“Është e qartë se vaksinimi është mënyra e vetme për t’i dhënë fundit ciklit të izolimeve dhe mbylljes së kufijve, dhe për një pjesë të punëtorëve të Qantas dhe Jetstar, kjo nënkupton kthimin në punë”, ka thënë Joyce.
Kjo kompani ka thënë se vendimi është marrë pas konsultimeve me punëtorët dhe kryerjes së një sondazhi që synonte të kuptonte më shumë për pikëpamjet e tyre ndaj vaksinimit.
“Ne e kuptojmë se do të jetë një numër i personave që vendosin të mos marrin vaksinën dhe kjo është e drejta e tyre, mirëpo është përgjegjësia jonë të ofrojmë ambient sa më të sigurt për punëtorët dhe pasagjerët tanë”, ka thënë mes tjerash Joyce.
Kufijtë ndërkombëtarë të Australisë janë të mbyllur për të gjithë personat, përveç shtetasve dhe banorëve, me disa përjashtime tjera, prej marsit të vitit 2020.
Edhe kufijtë brenda shteteve janë mbyllur disa herë gjatë pandemisë, duke ulur kërkesat për udhëtim.
Top Channel